Vendosni fjalën kyçe....

Studentët ndryshojnë strategji, sytë nga ndërkombëtarët. Ku do protestohet sot


Prej më shumë se një muaji në protesta, studentët as sot nuk do të ndalen por do të përshkallëzojnë protestën e tyre, duke mos qëndruar vetëm para Kryeministrisë.

Ndryshe nga çdo herë tjetër, studentët do të marshojnë në të gjitha institucionet përgjegjëse që kanë hartuar e kaluar ligjin e arsimit të lartë.

Sipas axhendës së tyre të publikuar në rrjetet sociale, studentët janë mblidhur si zakonisht  në orën 08:30 pranë fakulteteve, duke protestuar përreth një orë.

Studentët më pas do të rikthehen përpara Ministrisë së Arsimit, ku kanë protestuar që në fillim derisa lëvizja e tyre arriti në shkarkimin e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.

Pas një ore qëndrimi para këtij institucioni, studentët do të marshojnë përsëri drejt Kryeministrisë, për të vazhduar më pas drejt Kuvendit, Presidencës e në fund do të kthejnë sytë nga ambasadat.

Mirëpo ndryshe nga dje, kur u ndalën te përfaqësia diplomatike e SHBA-ve, studentët do të drejtohen në 13:00 edhe në ambasadën e Bashkimit Europian.

Studentët kanë paralajmëruar se nuk do të bëjnë kompromis me kërkesat e tyre dhe pavarësisht VKM-së së miratuar në prag të fundvitit, ata nuk kanë besim se kërkesat e tyre do plotësohen nga qeveria.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *