Edhe pse studentët vazhdojnë të protestojnë, Universiteti i Tiranës ka vendosur të fillojë mësimin normal, si edhe zëvendësimin e orëve të humbura përgjatë një muaji.
Rektorati ka vendosur në një mbledhje mënyrën se si do të zëvendësohen orët mësimore të humbura gjatë gjithë dhjetorit dhe fillimit të janarit. Për pesë javë rresht studentët do të bëjnë mësim edhe në fundjavë, në mënyrë që të rikuperohen orët e humbura.
“Në mbledhjen e rektoratit të datës 08.01.2019, u mor në konsideratë situata mësimore pas përfundimit të protestës studentore, e cila u zhvillua nga data 10-21 dhjetor 2018, pra, 10 ditë mësimore. Pas diskutimeve të shumta për të mos prishur strukturën vjetore, Rektorati vendosi që mësimi të plotësohet ditën e shtunë dhe të diel për 5 javët në vazhdim, pra, deri më 10 shkurt 2019.
Regjistri të plotësohet në periudhën e ndërprerjes së mësimit gjatë dhjetorit. Ditën e shtunë dhe të diel të javës së parë do të zhvillohet mësimi i dy ditëve të hëna e me radhë”, thuhet në njoftimin e FEUT-së.
Edhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës ka bërë një njoftim të ngjashëm.
Por në të njëjtën ditë që frakultetet po bëjnë të ditur mënyrën e rikuperimit të orëve, studentët e juridikut kanë përshkallëzuar protestat duke u ngujuar në fakultet.