Vendosni fjalën kyçe....

9 raste në javë të fruthit në Shqipëri, ISHP: Të vaksinohen foshnjat


Në Shqipëri ka raste me fruth. Shtyrja në kohë e vaksinës “MMR” që bëhet te bebet një vjeç, apo refuzimi i saj, kanë bërë që në vendin tonë të ketë raste me fruth, ndonëse jo në përmasat e një epidemie.

Shqipëria renditet në vendin e 6 në Evropë për nga numri i të prekurve nga fruthi. Viti që u mbyll shënoi 1.376 raste, ndërkohë që vetëm javën e parë të janarit ka pasur raste të reja, kryesisht te fëmijët e vegjël nën 2 vjeç.

“Deri në datën 8 janar janë evidentuar 9 raste pozitive me fruth. Këto raste, sidomos kohët e fundit, që nga muaji nëntor kur kurba e epidemisë ka rënë në mënyrë mjaft të ndjeshme, ne kemi raste në Tiranë dhe kryesisht të fëmijëve të moshave deri në dy vjeç”, tha Silva Bino për Top Channel.

Në këtë situatë, Instituti i Shëndetit Publik ka udhëzuar që kjo vaksinë të bëhet që kur bebet mbushin 9 muaj, pasi është vënë re një rënie e imunitetit që transmetohet nga nëna te bebja.

“Fëmijët duhet të fillojnë vaksinimin në moshën 9 muajshe, por shohim që kjo gjë nuk po zbatohet. Nuk po zbatohet nga mjekët e konsultoreve, por nuk po zbatohet sidomos nga prindërit, të cilët dëgjojnë lloj-lloj sharlatanësh dhe nuk i vaksinojnë fëmijët kundrejt fruthit, ose përpiqen ta shtyjnë vaksinën e fruthit me frikën e autizmit. Unë e përsëris edhe njëherë se, bazuar në fakte shkencore dhe në të gjitha eksperiencat e vendeve, vaksina ndaj fruthit nuk shkakton autizëm”, tha më tej Silva Bino.

Rastet e reja të prekura janë të gjithë nga Tirana dhe burimi i infeksionit mendohet të jetë Urgjenca e Qendrës Spitalore Universitare, ku për shkak të virozave ka fluks fëmijësh.

“Për shkak të virozave respiratore dhe të një dyndjeje që prindërit bëjnë në QSUT, pikërisht në Urgjencën e QSUT-së ku bëhet filtrimi i pacientëve, atje sëmuren fëmijët dhe transmetohet sëmundja e fruthit”, thotë Bino.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive u bën thirrje prindërve të shmangin sa të mundin Urgjencën e Pediatrisë dhe të drejtohen te pediatri pranë Qendrës Shëndetësore, në mënyrë që bebet e tyre të mos bien në kontakt me virusin e fruthit.

Nga ana tjetër kërkohet vaksinimi ndaj fruthit, e në të gjithë institucionet arsimore, si çerdhe e kopshte, është kërkuar të mos pranohet asnjë fëmijë që nuk ka bërë vaksinat.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *