Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka sulmuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, duke i thënë se duhet të shkojë në Hagë, që të përballet me Gjykatën Speciale.
“Kosova nuk është dashur të ketë gjykatë speciale me paracaktim etnik, por gjykata normale dhe zbatim të ligjit. Tash, edhe nuk kemi gjykata normale e zbatim të ligjit, si në shtetet demokratike, por edhe na është sipërvendosur gjykata speciale si asnjë shteti tjetër. Për të dyja këto je ti që mban përgjegjësi. Për ato normalet që s’i kemi dhe për këtë anormalen që na e solle. Prandaj, shko Hashim”, shkruan Kurti në rrjetet sociale.
Më tej Kurti i thotë presidentit që të thotë fjalën e tij në Hagë, të shkojë për popullin e Kosovës dhe për veten.
“Po pra, shko Hashim. Në Hagë thuaje fjalën tënde me argumente e fakte, në mbrojtje të luftës çlirimtare, të UÇK-së, të shqiptarëve e të historisë sonë. Të takon. Je historiani që ishe në luftë. Bëhu presidenti që hyn në histori. Shko Hashim.
Sepse, si po e mendon këtë punë Hashim? Dhjetëra luftëtarë e pjesëtarë të UÇK-së, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa e deri te Sokol Dobruna, Kadri Veseli e Xhavit Haliti të shkojnë në Hagë, kurse ti në Prishtinë të jesh president me Baton Haxhiun?! Shko ti në vend të të gjithë atyre Hashim. Shko në Hagë. Për ata. Për vete. Shko. Mos e malltreto popullin dhe shtetin, shokët dhe vetveten. Shko ti”, thuhet në shkrimin e Kurtit.