Reshjet e dëborës, ngricat dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë gjithë territorin e vendit.
Zonat më problematike janë ato veriore, verilindiore, jugore dhe juglindore ku reshjet e dëborës vijojnë pa u ndalur të shoqëruara me erëra të forta.
Një pjesë e rrugëve kryesore janë të kalueshme pa zinxhirë, ndërsa ka zona, sidomos ato që lidhin qytetet kryesore me fshatrat ku përdorimi i zinxhirëve është i domosdoshëm.
Një pjesë e fshatrave të thellë sidomos në zonat e Kukësit, Dibrës, Malësisë së Madhe e Korçës, Lezhës e Shkodrës, janë të bllokuar për shkak të reshjeve të dendura të borës.
Një pjesë e mirë e shkollave në vend janë mbyllur deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. Raportohet se në disa zona të vendit ka probleme të furnizmit me energjinë elektrike.
Puka
Reshjet e dëborës kanë paralizuar qarkullimin në gjithë fshatrat e Pukës, ndërsa reshjet kanë shkaktuar vështirësi qarkullimi edhe në akset nacionale.
Dibër
Si pasojë e kësaj gjendjeje, procesi mësimor në ditën e sotme është pezulluar. Edhe qarku i Dibrës është i bllokuar në rrugët e fshatrave dhe trashësia e dëborës arrin deri në 1 metër. Aksi nacional është i kalueshëm pa zinxhirë ndërsa të gjitha akset e tjera janë të kalueshme me zinxhirë.
Korçë
Të izoluara mbeten shumë fshatra. Energjia elektrike mungon nga mbrëmja e djeshme në Vithkuq, Lekas, Moglicë, Panarit, Podgorie, Vreshtas, Sheqeras, Shëngjergj, Dardhas.
Nga moti i keq dhe kushtet e vështira atmosferike, edhe në qarkun e Korçës raportohen problematika në qarkullim. Trashësia e dëborës në zonat malore shkon në 90 cm, ndërsa në qytet në 30 centimetra.
Kukës
Reshjet e dëborës janë shoqëruar gjithashtu me problematika në qarkun e Kukësit, ndërsa shumë vende të thella malore janë të bllokuara dhe trashësia e dëborës arrin mbi 50 centimetër. Kjo gjithashtu është shoqëruar edhe me mungesë të furnizimit me energji elektrike.
Lezhë
Situata në Qarkun e Lezhës vijon të jetë problematike ne disa zona. Në Mirditë është ndërprerë mësimi në te gjitha shkollat dhe Rruga e Kombit ka prezencë të dëborës, por pa penguar lëvizjen e mjeteve. Gjithashtu situata raportohet më e qetë në Kurbin.
Reshje dëbore me intensitet të lartë ka patur në zonën e Gallate. Rrugët janë të gjitha të kalueshme në Lezhë dhe procesi mësimor vijon pa ndërprerje.
Librazhd
Shkollat në Librazhd dhe Prrenjas janë të mbyllura. Aksi i rrugës nacionale dhe të gjitha rrugët rurale janë te kalueshme, ndërsa procesi mësimor vazhdon normalisht. Ndërkohë zonat e thella nuk kanë probleme me energjinë elektrike.
Në Rajonin Qendror Tiranë: Gjatë natës temperaturat kanë qenë të ulëta dhe ka pasur reshje bore. Është punuar nga kontraktorët për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës.
Të gjitha akset e mëposhtme qarkullohen me zinxhir.
– Akset Dajtit
– Kruje – Sarisalltik
– Lunik – Stebleve
Ne akset e tjera të këtij rajoni qarkullimi kryhet normalisht pa zinxhir. Në orët e para të mëngjesit, për shkak të temperaturave të ulëta, rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të përdorin gomat e dimrit.
Gjithashtu gjatë lëvizjes duhet të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.
Në Rajonin Verior Shkodër: Gjatë natës ka pasur reshje bore me intensitet të lartë. Trashësia mesatarisht 50 cm. Akset janë pastruar dhe kriposur.
Për shkak të vazhdimit të reshjeve dhe temperaturave të ulëta, akset qarkullohen me zinxhir. Kontraktorët kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës në segmentet rrugore të mëposhtëme:
Të gjitha akset e meposhtem rekomandohen të qarkullohen me zinxhir.
-Rruga Koplik-Bogë, Dedaj-Razëm
– Qafë Mali-Fierzë
– Qafë Lac -Koman
-Ura Matit-Rrëshen, Shpal-Ura e Repsit
– Ura Kukës-Krumë dhe Plepa – Kam
– Akset rrugore të Peshkopisë trashësia e dëborës rreth 60 cm
– Bajram Curri – Tropojë – Bucaj trashësia e dëborës rreth 70 cm
– Në akset Peshkopi – Qafë Draje, Peshkopi-Ushtelence, Trebisht-Doganë
– Ura Cerenecit-Steblevë dhe Trebisht-Doganë
Në Rajonin Jugor Gjirokastër: Gjatë natës ka pasur reshje bore me intensitet të lartë në Qarkun e Korçës. Që në orët e para të mëngjesit është punuar dhe vazhdon të punohet për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës, por qarkullimi kryhet me zinxhir në akset e mëposhtëm:
– Në rrugët e Dardhës, Voskopojës, Dogana Gorricë etj.
– Volare-Erind-Çajup
Pa zinxhir qarkullohet ne akset e tjera te këtij rajoni si :
– Dukat-Llogara, Muzinë-Syri i Kaltër.
-Tepelenë-Dorez-Qafë Dushk-Sevaster-Kalivac.
– Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë.
– Segmenti fundor i rrugës Berat-Gllavë
Aksi kryesor Qafë Thanë – Pogradec-Korçë-Kapshticë qarkullohet pa zinxhir. Në Qarkun e Fierit qarkullimi rekomandohet me kujdes për shkak të lagështirës në rrugë.