Ish-zv.kryeministrja e Kosovës dhe ish-kryengociatorja e Kosovës në Bruksel, aktualisht ministre për Dialog dhe Qeverisje, Edita Tahiri, ka përshëndetur vendimin e presidentit tyë Shqipërisë, Meta, për mosdekretimin e Gent Cakajt, si ministër i Jashtëm i Shqipërisë.
Ajo shkruan se vendimi i Metës është kombëtar dhe vizionar në mbrojtje të kufijve të Kosovës. Tahiri thekson gjithashtu se emri i Gent Cakajt ishte propozuar qëllimshëm dhe me djallëzi nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, Rama.
“E pershendes vendimin kombetar dhe vizionar te Presidentit te Shqiperise ne mbrojtje te kufijve te Kosoves. Ai sot nuk dekretoi nje kandidate per minister te jashtem qe ishte pro prekjes se kufijve, te nominuar qellimshem dhe me djallezi nga kryeministri Rama.” – shkruan Tahiri në faqen e saj në “Facebook”.
Më herët, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, shkruante se mosdekretimi i Cakajt është i drejtë dhe se Meta duhet të kishte refuzuar edhe emërimin e Besa Shahinit, për të cilën shkruan se është mbesa e ish agjentit të Shërbimit Sekret të Serbisë, UDB, Ibush Kllokoqit.
“E përgëzoj Presidentin shqiptar Ilir Meta për mos dekretimin e kandidatit për Ministër te Punëve te Jashtme te Republikës se Shqipërisë. Presidenti do te duhej ta refuzonte edhe te emëruarën për Ministre te Arsimit.
Jo sepse ata janë nga Kosova, përkundrazi, por për arsyen se Kosova ka figura te shquara me dinjitet qe do ta vazhdonin traditën e ministrave nga Kosova ne Qeverinë shqiptare qe nga Hasan Prishtina e këtej. Sikur nuk shkon; dikur Hasan Prishtina nga Kosova ne Qeverinë e Shqipërisë e tash i dërguari i Batonit, apo edhe me keq!
A nuk gjeti Rama person me te mire se sa mbesën e spiunit te UDB-se Ibush Kllokoqit për Ministre te Arsimit? Sa mire qe nuk është me Rrahman Morina, se ku i dihet, ndoshta do t’iu kishte rekomanduar Rames nga e njëjta dore. Po t’i duheshin ministra nga Kosova, Kryeministri ka pasur ku te kërkoje. Ka Kosova patriote e intelektuale te shquar e te respektuar; Murat Jashari, për shembull!” – shkruan Selimi në “Facebook”.