Gjykata la lënë në burg gjyqtarin R.H. dhe psikologen E.M., pas videos së publikuar në media, ku gjyqtari i kërkonte seks një gruaje në Fier, për t’i dhënë kujdestarinë e së bijës.
Ata ndodhen të ndaluar në Drejtorinë Vendore të Policisë dhe do qëndrojnë në burg deri në një vendim të dy të gjykatës.
“Drejtoria Hetimore Qendrore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Tiranë kryen ekzekutimet e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë Nr.5, datë 09.01.2019 e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasit:
– R.H., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier;
– E.M., 28 vjeçe, banuese në Fier, me detyrë psikologe, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.
Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtesisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjishëm të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ata ndodhen të ndaluar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.” – thuhet në njoftimin e policisë.