Vendosni fjalën kyçe....

“Jelekët e Verdhë” synojnë gjunjëzimin e Macron-it, tërheqin paratë nga bankat


“Jelekët e Verdhë” i kanë shtuar një risi protestës së tyre. Ata shpresojnë që të gjunjëzojnë sistemin bankar nëpërmjet një tërheqjeje të koordinuar të parasë.

Duke kërcënuar sistemin financiar francez, thonë protestuesit, ata duan të detyrojnë paqësisht qeverinë për të miratuar reformat e tyre.

“Nëse bankat dobësohen, shteti dobësohet menjëherë.” – janë shprehur ata për mediat franceze.

“Është makthi më i keq i zyrtarëve në mbarë botën.” – kanë shtuar ata.

Protestuesit kanë planifikuar të zbrazin llogaritë e tyre bankare të shtunën, duke tërhequr sa më shumë para që të jetë e mundur, në një përpjekje për të minuar bankat franceze dhe monedhën euro.

Plani është të “frikësojë shtetin ligjërisht dhe pa dhunë”, duke e detyruar qeverinë të miratojë nismën e referendumit, që do u lejonte qytetarëve të propozojnë dhe të votojnë për ligjet e reja.

“Ne do të marrim bukën tonë. Ju jeni duke bërë pasuri me djersën tonë dhe ne jemi të ngopur me këtë gjë”, tha një protestuese në një video-mesazh në YouTube.

Një veprim financiar i koordinuar mirë ka potencialin për të gjunjëzuar sistemin bankar francez dhe të dëmtojë monedhën euro, pasi bankat gjithmonë mbajnë vetëm një pjesë të fondeve që qytetarët e vendit kanë në llogaritë e tyre.

Megjithatë, shumica e bankave kufizojnë tërheqjet e ATM-ve në një sasi relativisht të ulët, që do të thotë se protestuesit do të duhej të rreshtoheshin brenda bankave për të tërhequr pjesën tjetër të parave të tyre, duke i dhënë qeverisë franceze kohë për të vendosur kufizime për tërheqjet, edhe pse kjo mund të shkaktojë protesta të mëtejshme.

Demonstrata financiare është një mjet i ri për të anashkaluar nismën e propozuar nga kryeministri, Edouard Philippe, që paralajmëroi ligje të ashpra për protestat e paautorizuara.

Philippe ka deklaruar se për protestat e ardhshme pritet të mobilizohen më shumë se 80.000 forca të sigurisë. Qeveria ka kërkuar dialog me protestuesit, për të dëgjuar zërat e tyre në një debat kombëtar, në vend të protestave të dhunshme në rrugë, siç kanë bërë dy muajt e fundit.

Debati, i planifikuar për javën e ardhshme, do të ketë në fokusr ndryshimet klimatike, “çështjet demokratike”, taksat dhe shërbimet publike. /Hashtag.al

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RT


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *