“Që Presidenti ynë të shkelë Kushtetutën, godasë qeverinë, nëpërkëmbë një djalë të ri e të paktën 1000 herë më të ditur se ai, duke u marrë paturpësisht me fjalë si të ishte Dëshmitari X…Oh çfarë marre! IM me qyqarët e kadrinjtë mbrojnë Kosovën nga një shqiptar i Kosovës. Pupupu”. Kështu ka reaguar së fundmi kryeministri Edi Rama për presidentin Ilir Meta në lidhje me çështjen e mosdekretimit të Gent Cakajt për ministër të Jashtëm.
Presidenti i vendit u shpreh më herët se nuk do shkelë pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. “Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit si President i vendit tim”, shkruan Meta në një postim në Twitter.
Në reagimet e tij Meta theksoi se Cakaj është papërvojë dhe ka treguar mungesë të theksuar të përgjegjshmërisë gjatë ushtrimit të detyrës së Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.