Vendosni fjalën kyçe....

DSIK i përgjigjet Metës: Verifikimi i Cakajt sipas ligjeve në fuqi


Pas kërkesës së presidentit të Republikës Ilir Meta, për ngritjen e një Komisioni Parlamentar Hetimor për Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, që është në varësi të Kryeministrit, vjen reagimi nga ky institucion.

Përmes një njoftimi zyrtar, DSIK thotë se se pajisja me Çertifikatën e Sigurimit të Personelit për Gent Cakaj është kryer në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit në fuqi.

 “DSIK administron përgjigjet zyrtare të Autoriteteve Verifikuese brenda vendit; SHISH, SHÇBA, si dhe të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si i vetmi Autoritet Verifikues i Republikës Kosovës, (pasi z. Cakaj mban edhe shtetësinë e Kosovës, krahas shtetësisë shqiptare)”, thuhet në njoftimin e DSIK.

Sipas këtij njoftimi, DSIK administron dokumentacion të plotë lidhur me procedurat e ndjekura dhe informacionin e përftuar në funksion të verifikimit të sigurisë dhe të pajisjes me CSP të z. Gent CAKAJ.

Njoftimi i DSIK-së:

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, me cilësinë e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar në fushën e informacionit te klasifikuar “sekret shtetëror”, të NATO-s, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, gjen rastin të bëjë këtë njoftim publik:

Pajisja me Certifikatën e Sigurimit të Personelit për z. Gent CAKAJ është kryer në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit në fuqi, duke respektuar detyrimet e parashikuara në Ligjin nr. 8457, datë 11.2.1999 “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””, i ndryshuar dhe Vendimin Nr. 188, datë 4.3.2015 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”.

Lidhur me këtë proces sqarojmë se:

    1.Verifikimi i sigurisë për z. Gent CAKAJ është kryer i plotë, me përparësi dhe në përputhje me detyrimet ligjore,  parashikuar në Vendimin Nr. 188, datë 4.3.2015, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit” dhe specifikisht të neneve 11[1], 12[2], 13[3], 14[4], 17[5], 18[6], 19[7] të tij.

DSIK administron përgjigjet zyrtare të Autoriteteve Verifikuese brenda vendit; SHISH, SHÇBA, si dhe të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si i vetmi Autoritet Verifikues i     Republikës Kosovës, (pasi z. Cakaj mban edhe shtetësinë e Kosovës, krahas shtetësisë shqiptare).

Referuar përgjigjeve të Autoriteteve Verifikuese ka rezultuar se për z. Gent CAKAJ nuk ekziston rrezik i papranueshëm sigurie për pajisjen e tij me CSP, sipas kërkesës së paraqitur nga MEPJ.

Nga procesi i verifikimit të sigurisë të z. Gent CAKAJ nuk ka rezultuar asnjë rrethanë ligjore[8], sipas së cilës DSIK ka qenë e detyruar për të kërkuar informacion shtesë, apo për të shtrirë verifikimet e sigurisë në vende të tjera si Hungaria e Belgjika, të cilat gjithsesi janë vende anëtare të NATO dhe BE.

    2.Procedurat e verifikimit të sigurisë janë ndjekur me angazhim maksimal brenda afateve kohore të parashikuara në nenin 18 të VKM së sipërcituar.

Kujtojmë, se në përmbajtjen e këtij neni, ndër të tjera është parashikuar se:

“Afati i përgjithshëm për kryerjen e procedurave të verifikimit dhe lëshimit të CSP-së nga DSIK-ja është deri në 120 ditë kalendarike. Brenda kësaj periudhe përfshihen edhe afatet e verifikimit të sigurisë nga ana e autoriteteve verifikuese…..” [9] Në vijim thuhet se:

“….Autoriteti verifikues dhe çdo strukturë tjetër shtetërore, që merr kërkesën e paraqitur nga DSIK për të kryer verifikimin e sigurisë, ka detyrimin të kryejë procedurat dhe të kthejë përgjigje duke dhënë informacionin e kërkuar me shkrim, jo më vonë se 45 ditë kalendarike nga data e marrjes së kërkesës”[10]

DSIK, me cilësinë e Autoritetit të Sigurimit Kombëtar, vlerëson bashkëpunimin e ngushtë me Autoritetet Verifikuese brenda vendit dhe strukturën homologe të Republikës së Kosovës, që kanë kryer procedurat e verifikimit të sigurisë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Së fundi një sqarim plotësues, lidhur me “Certifikatën e sigurimit të personelit”.

“Certifikata e sigurimit të personelit”[11], është dokumenti zyrtar i DSIK[12], ose i një autoriteti kompetent të sigurisë së një vendi tjetër, i cili vërteton nga pikëpamja e sigurisë se një individ i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.

Posedimi i këtij dokumenti përben një nga kriteret[13] që duhet të plotësojë një individ, përpara se të njihet me informacionin e klasifikuar, (me përjashtim të rasteve për njohjen me informacionin e klasifikuar në nivelin “I kufizuar” që nuk kërkohet CSP).

Pra, aplikimi dhe pajisja me CSP është e detyrueshme vetëm për një individ që do të njihet me informacion të klasifikuar bazuar në parimin “nevojë për njohje”.

Nga ana tjetër, sigurimi i personelit, si një nga disiplinat kryesore të sigurimit të informacionit të klasifikuar, është një proces i vazhdueshëm dhe nuk përfundon me lëshimin e CSP. Në çdo rast, kur dalin të dhëna të reja që rezultojnë me rrezik të papranueshëm sigurie, DSIK rishqyrton vendimin e marrë.

DSIK administron dokumentacion të plotë lidhur me procedurat e ndjekura dhe informacionin e përftuar në funksion të verifikimit të sigurisë dhe të pajisjes me CSP të z. Gent CAKAJ.

Ju faleminderit.

[1] Shqyrtimi fillestar

[2] Kushtet për fillimin e verifikimit të sigurisë

[3] Kërkesat e përgjithshme të vlerësimit të sigurisë

[4] Kriteret themelore të vlerësimit të sigurisë

[5] Koha që mbulon verifikimi i sigurisë

[6] Afatet e kryerjes së verifikimit të sigurisë

[7] Rrethi i personave që verifikohen

[8] Shih: Vendimi Nr. 188, datë 4.3.2015, i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”.

[9] Neni 18, paragrafi i parë.

[10] Neni 18, paragrafi i tretë.

[11] Neni 3, pika 6 e VKM

[12] Shiko në pikën 2 të Vendimit Nr. 377, date 31.5. 2001 të Këshillit të Ministrave “Për sigurimin e informacionit të klasifikuar ‘sekret shtetëror” në marrëdhënie ndërkombëtare “, i ndryshuar, ku ndër të tjera është përcaktuar se Drejtoria e Sigurimit te Informacionit te Klasifikuar është Autoritet i Sigurimit Kombëtar në fushën e informacionit te klasifikuar “sekret shtetëror”, me NATO-n, me shtetet dhe me organizatat e tjera ndërkombëtare.

[13] Për më tepër Neni 4, (specifikisht neni 4, germa ç).

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *