Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, i ka kërkuar Kryeprokurores së përgjithshme të përkohshme, Arta Marku, që të hetojë falsifikimin e dokumenteve të Unazës së Re. Kryemadhi theksoi se publikimi i falsifikimit zbuloi aferën korruptive ndërsa i bën thirrje Markut që ta zbardhë këtë megavjedhje.
“I bëj thirrje Arta Markut dhe prokurores së Tiranës që kanë në tryezë dosjen e Unazës së Re që përveç se aferë korruptive nxorri hapur se administrata falsifikon dokumenta të nxjerra nga SHBA. Prokuroria duhet të tregojë se si miliona euro po shkojnë në xhepin e Edi Ramës. I bëj thirrje gjithë kompanive apo dhe individëve që përfshihen në këtë korrupsion galopant të kenë kujdes, mos shkatërrojnë bizneset e tyre. Unaza e Re është një nga mijëra aferat korruptive të Ramës. Ai mund t’i çonte ato para për studentët që sot dhunohen nga policë rrugaçë, që kanë marrë çertifikatën e DSIK.” – tha Kryemadhi.
Më tej ajo foli për situatën në universitete dhe dhunën e policisë ndaj studentëve duke i kërkuar ministrit të Brendshëm, Lleshaj, që të ndalë dhunën e efektivëve të policisë ndaj studnetëve që protestojnë.
“I bëj thirrjes Lleshajt si praktikant i kishës katolike që beson në Zot, të veprojë ndaj këtyre kriminelëve që dhunojnë fëmijët e shqiptarëve.”
Në fund të deklaratës së saj, Kryemadhi, tha se Rama është në situatë të rëndë psikike e klinike duke u bërë thirrje mjekëve në Partinë Socialiste që të marrin në duar fatet, pasi janë në duart e një të sëmuri.
“Izotopet e alkaloidëve kanë efekt në trupin e njeriut nga 5 deri në 90 minuta ndërsa ato të drogave sintetike kanë efekt të përjetshëm. Kryeministri ynë është nën efektin e këtyre izotopeve. U bëj thirrje mjekëve të PS të marrin fatet në dorë sepse fatet e të gjithëve janë në dorë të një sëmuri psiqik e klinik. Është peng i substancave sintetike, jo vetëm krimit të organizuar. I bëj thirrje mjekëve të tij, ta ndalojnë në rrugën e tij ta fusin në një qendër detoksifikimi duke patur parasysh sëmundjen e tij. Sot më shumë se kurrë shqipëria ka nevojë për solidaritet njerëzor.” – tha Kryemadhi.