Studentët e Ekonomikut, Juridikut, Arkitekturës dhe Inxhinierisë janë ngujuar nëpër fakultete. Por në fakultetin e Arkitekturës, studentëve iu kanë mbyllur dyert e jashtme dhe nuk i lënë as të marrin ushqime.
Në një lidhje telefonike me gazetaren e “News 24”, një student tha se policia po i çon drejt grevës së urisë me zor, pasi duke mbyllur hyrje-daljet nuk po lënë as kalimin e ushqimit për ta.
“Neve na kanë mbyllur prej dy orësh në fakultet. Asnjë lloj ushqimi, studentët e Politeknikut kanë ardhur këtu, nuk i kanë lejuar atje dhe erdhën tek ne. Po as ushqimet nuk na i lënë të kalojmë.”, janë fjalët e të riut.
Studenti shtoi se efektivët e policisë i kanë kërkuar emër-mbiemër të gjithë studentëve që kanë qëndruar të ngujuar në fakultet, ose në të kundërt do i nxirrnin jashtë me dhunë.
“Na kërkuan emër, mbiemër ose përndryshe nuk na lënë të qëndrojmë në fakultet. Po na fusin në grevë urie me dhunë. Nuk të lënë as të dalësh, jo më të hysh. Nuk po e kuptojmë çfarë po ndodh. Që nga ora 12, nuk kemi asnjë ngrohje.
‘Ose na jepni emër, mbiemër’, na thanë, ‘ose do ju nxjerrim me dhunë’. Plani jonë ka qenë të qëndrojmë të ngujuar këtu, mirë që jemi të ngujuar por po na detyrojnë të bëjmë grëve urie.”, tha studenti.
Studentë të tjerë janë të mbledhur rreth fakultetit, mirëpo nuk mund të hynë brenda t’u bashkohen shokëve. Të ngujuar vazhdojnë edhe studentët e Juridikut dhe ekonomikut, por atje dyert janë lënë të hapura.
Sakaq edhe një video po qarkullon në rrjet, ku studentët ankohen se kanë mbetur pa ushqime, por thonë se s’do bien pre e presionit./Hashtag.al