Vendosni fjalën kyçe....

‘Kazanë e kadrinj’, çanllëqe dhe ramllëqe!


Nëse ju kujtohet, gati gjatë gjithë gjysmës së parë të vitit 2018, Arian Çani në emisionin e tij ‘Zonë e Lirë’ në Tv Klani, nuk linte rast pa sulmuar kryeministrin e vendit dhe shpesh Edi Ramën si individ.

‘Se unë e njoh mirë atë që nga koha që drejtonte bashkinë, është mashtrues i madh…’- ishte një shprehjet më të zakonshme të Çanit, sa herë që diskutohej emri i Ramës në emisionin e tij. Madje Çani që nuk shquhet për ‘analist’ nisi ca kohë që ta hapte emisionin e tij, me monolog-editorial kushtuar Erion Velisë dhe Edi Ramës. Natyrisht duke sulmuar nën, e mbi brez.

Gjatë kohës së protestës së kuksianëve për çështjen e taksës së ‘Rrugës së Kombit’, në datë 4 prill të vitit të shkuar në studio me Ed Palokën, Çani mbajti një monolog të gjatë, nëpërmjet të cilit i bënte thirrje popullit shqiptarë se e vetmja rrugë për të shpëtuar nga e ‘keqja Rama’ janë protestat e pandërprera.

‘Mos u ulni me atë, mos bisedoni, mos dilogoni se ju mashtron dhe ecën përpara. Po nuk e rrëzuat me protestë ai edhe 100 vjet rri në pushtet’, ishte thelbi i këtij `editoriali` të Çanit.

Por rrugës, duket se gjërat ndryshuan për dyshen, që herë janë miq konfidencialë me njëri tjetrin e herë të tjera, ‘zyrtari i lartë, që ka në dorë’ dhe ‘gazetari që bën, vetëm gazetari’!

Pas pajtimit dhe nisjes së frekuentimit të studios së Çanit nga Edi Rama, gjë që çuditërisht përkon me situata kur kryeministri gjendet nën mors publike për pisllëqet që bën sistematikisht, në një dalje te Ermal Mamaqi ai u pyet, ‘se çfarë ndodhi, që u pajtuan pas një kohë të gjatë që nuk flisnin dhe a i ka bërë një nder Rama, që e ftoi pas shumë kohësh në studio’.

Çani u përgjigj:

‘S’më ka blerë, po të ndodhte do e tregoja hapur. Nuk jam nga ata, nuk blihem e shitem. Por unë nuk dua ta heq këtë mister, më pëlqen ky thashethem’.

Në fakt Mamaqi nuk i tha fare ‘a je blerë?’, por a të bëri më në fund një ‘nder’ që e ftove. Çani si duket i kompleksuar nga llafet e botës me këtë punën e ‘shit-blerjes’ së profesionit të gazetarit, nxitoi që thoshte një gjë për të cilën askush nuk e çon ndër mend. Imagjinojeni, as Ermal Mamaqi!

Tani ky Arjan Çani që nuk është nga ata që blihen e shiten (gjë që edhe ne e besojmë, fare seriozisht), mbrëmë për herë të dytë mori një aradhë kolegësh dhe ja hodhi Edi Ramës, si ‘mish për top’.

Njësoj si herën e parë (‘kazanët’) nisi ti nxjerrë fotografitë e kolegëve kandidatë për ‘kadrinj’ dhe e la Edi Ramë të nis e të aktrojë duke denigruar, përçarë e përqeshur kolegët e Çanit.

Arian Çani emisionin e ka të tijin dhe të Aleksandër Frangajt dhe mund të bëjnë çfarë të duan aty, por nëse e quan veten ende gazetarë dhe ‘koleg’ me kockat që i hodhi Ramës për të hungërirë e bërë atë të qeshurën ala Frankeshtain, duhej të kishte vepruar krejtësisht ndryshe.

Meqenëse këto kohë e kanë rikthyer miqësinë, më e pakta që mund të bëjë Çani është që ti kërkojë publikisht në emision Edi Ramës, që të përballet live me ‘kadrinjtë’ e ‘kazanët’ dhe tua thotë në sy fyerjet dhe etiketimet. Nëse Rama si frikacak që është nuk pranon, atëherë Çani nuk ka pse bën ‘gazetari e show’ duke i nxjerr fotografi që as flasin dot as mbrohen dhe as munden ti thonë Ramës të vërtetat e tyre.

Ose të paktën kur i vuri përpara edhe foton e ‘Kadriut’ që ka publikuar dëshminë në një gjyq familjarë të Ramës ku ky pretendon se nuk mund të kishte fëmijë dhe se djali i tij nuk ishte i tij, dhe u shpreh: ‘Jo, nuk është Kadri, është gazetar serioz’, minimalisht mund ta pyeste: Atëherë djali juaj vërtet nuk qenka i juaji, përderisa është gazetar serioz?!

Mund ti nxirrte plot fotografi të tjera Rama Çanit mbrëmë dhe të bënte gazetari për qejf të vetë, por edhe në shërbim të publikut.

Ti tregonte për shembull, pamjet kur policët e Ramës dhunojnë studentët brenda shkollës së tyre; pamje nga rrugët e bllokuara nga bora e ngricat për mirëmbajtjen e të cilave shqiptarët paguajnë karburantin më të shtrenjtë në Europë; apo një foto të atyre 10 kilometra të autostradës Tiranë-Elbasan që kanë ngelur si varr i hapur…

Për këto e shumë të tjera që nuk i nxë as eteri i pafund i internetit, mund ta kishte ballafaquar Çani kryeministrin e vendit. Se për atë është zgjedhur aty dhe paguhet nga taksat e shqiptarëve; jo për të denigruar si skuth e në distancë përpara një fotoje, gazetarët që i thonë të vërteta që e lënë pa gjumë.

Gjithsesi, çanllëqet dhe ramllëqet e mbrëmshme në TV Klan për kazanë e kadrinj, nuk e shpëtojnë dot Edi Ramën nga çarku ku ka ngecur vetë si makut në kërkim të ‘djathit’, që ja vjedh pa mëshirë popullit të tij.

Nuk e shpëton dot as ndonjë copë, që mund të ketë hedhur në oborrin e Frangajt.

Por Çani e ca ‘kolegë’ të tjerë, le të vazhdojnë të bëjnë të tyre.

Edhe kufomës i bëhet një makiazh i denjë, përpara përcjelljes!

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Syri.net


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *