Templates by BIGtheme NET

Shkoi për master në Angli por përfundon në kultivues kanabisi

Një shqiptar është dënuar me 2 vjet e 8 muaj burg në Britaninë e Madhe për kultivim të kanabisit.

Armelind Rexha, 22 vjeç, mbërriti fillimisht në Angli për të kryer një Master, por përfundoi duke u shndërruar në një “fermer” të kanabisit, duke iu gjetur në momentin e arrestimit 800 bimë, që sipas mediave lokale të krahinës Teesside, në veri lindje të Anglisë, kapin vlerën e 672 000 paundëve, ose rreth 750 000 euro. Pas vuajtjes së dënimit ai do të depërtohet në Shqipëri.

Ai u arrestua fillimisht në 7 dhjetor të vitit të kaluar kur oficerët e policisë mësynë në banesën e tij pas dyshimeve të ngritura nga fqinjët.

Prokurorja e çështjes, Emma Atkinson, tha: “Ferma ishte ndërtuar në dy dhoma në dy kate të ndryshme, ku ishin vendosur 800 bimë”. Në momentin e arrestimit, Rexhës iu gjetën dy telefona dhe vetëm 200 paund para në dorë, ndërsa ai vetë pranoi se kishte dy muaj që e bënte këtë punë, por jo që ishte pronari.

Përmes një video-konference ai i tha gjykatës: “Isha i detyruar të rrija në atë shtëpi. Edhe tani që flasim familja ime është e kërcënuar. Më detyruan”.

Ndërsa avokati i tij mbrojtës, Alex Bousfield, tha: “Faktikisht ai ishte veç një kopshtar. Kishte dy muaj që rrinte aty. Ishte në dijeni të plotë të asaj që po bënte, por jo të asaj që po bënin jashtë atyre mureve njerëzit pas tij. Nuk ishte ky roli i tij. Ai është njeri i arsimuar me një diplomë. Synimi i tij nuk ishte të vinte në Britani dhe të merrej me aktivitet kriminal”.

Ai shtoi se Rexha fillimisht kishte menduar se do të punonte në ndërtim për të siguruar paratë e Masterit, por më pas ishte vënë nën presion që të futej në industrinë e kanabisit. “Me siguri ai shpreson të rikthehet sa më shpejt në Shqipëri dhe të rifillojë jetën”.

Ndërsa gjykatësi Simon Bourne-Arton iu drejtua Rexhës: “Erdhe në këtë vend për t’u bërë njeri më i mirë, por u joshe për t’u bërë pjesë e këtij operacioni. Ata që ta kërkuan këtë kishin më shumë përvojë kriminale se sa ty dhe kanë marrë pjesën e luanit nga përfitimet”.

Edhe pse pranoi se Rexha kishte vërtet rolin e kopshtarit, gjykatësi tha se fakti që u gjet i vetëm në momentin e arrestimit e bën të detyrueshëm dënimin me burg.

 

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto