Edhe pse kanë kaluar disa javë që kur ligji i ri ka hyrë në fuqi gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 2 raste dhe konkretisht në Tiranë dhe në Klos të Burrelit që udhtronin aktivitetin e lojrave të fatit.
Policia e Shtetit shprehet se kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë vendin deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet anti-ligjor.
Deklarata e plotë:
Policia e Shtetit vijon operacionet në të gjithë vendin në zbatim të planit të masave që po merren për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 2 raste dhe konkretisht në Tiranë dhe në Klos të Burrelit.
2 shtetas janë proceduar penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një njësi kompjuterike , dy televizorë dhe pajisje elektronike të cilat përdoreshin për organizimin e lotarive të palejuara.
Në Tiranë u procedua penalisht , shtetasi Z. G., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën e Dibrës, në ambientet e lokalit të tij u konstatuan paisje të cilat dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Në Klos të Burrelit u procedua penalisht shtetasi E.H., 35 vjeç, pasi në subjektin e tij u konstatuan të montuara pajisje për ushtrimin e lojërave të fatit.
Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë vendin deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet anti-ligjor.
Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit ‘Komisariati Dixhital’, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme.