Mijëra banorë të zonës së Matit kanë mbetur pa energji elektrike dhe të bllokuar nga dëbora e ditëve të fundit. Bashkia e Matit ka akuzuar qeverinë se nuk ka bërë asgjë për të zhbllokuar rrugën dhe i ka lënë në errësirë.
Zyrtarët e Bashkisë kanë deklaruar se kanë bërë çmos me mjetet e tyre për të mbajtur të hapur rrugën, atë kryesore dhe atë që i lidh me fshatrat.
Ata kanë akuzuar ministren dhe ushtrinë se ka ardhur në Mat për shfaqje. Ata kanë deklaruar se ushtria erdhi për t’i hapur rrugën ministres Xhaçka, që ershi si turiste në Mat në fundjavë dhe më pas u largua.
“Probleme të mëdha ka në furnizimin me energji elektrike. Ekipet e OSHEE vijnë sa për të bërë foto në dëborë ose gjoja me elektriçistë duke u ngjitur deri në gjysmë të shtyllës dhe imazhet iu përcillen mediave si “ushqim” propagandistik. Ndërsa realiteti në terren është krejt tjetër duke na kthyer në mesjetë.
Prej tre ditësh mungon energjia elektrike në Njësinë Administrative Rukaj; Njësinë Administrative Baz; në Njësinë Adiministrative Komsi në fshatin Selicë; në Njësinë Administrative Derjan mungon energjia në fshatrat Barbullej dhe Urxallë, banorët e të cilëve kanë si burim drite qirinjtë. Jetojmë në Shqipërinë e 2019 por të matshme me atë të mesjetës!” – thuhet ne denoncimin e Bashkisë së Matit.