Banorët e Shumbatit në Dibër kanë mbetur të izoluar nga bora që prej një jave. Duke qenë se instancat përkatëse nuk janë marrë me zhbllokimin e rrugëve, vetë banorët janë detyruar të organizohen me lopata që të hapin 3 km rrugë, për raste emergjencash.
“Jemi 20 vetë që kemi marrë lopatat për të hapur rrugën për të kaluar furgoni. në fshat kemi 4 të sëmurë rëndë. Nuk kemi as ushqime”, thotë një prej banorëve.
Fadromat e Bashkisë kanë hapur vetëm disa dhjetra metra në Shumbat. Po ashtu edhe në fshatin Dipjakë paraqitet e njëjta situatë, ku puna për zhbllokimin e rrugës është lënë në mes dhe rruga është bërë sërish e pakalueshme.
Deputeti i Partisë Demokratike Xhemal Gjunkshi, ka vizituar banorët e këtyre fshatrave. Gjunkshi u ka bërë apel institucioneve vendore e qendrore të ndërhyjnë urgjentisht në hapjen e rrugës dhe të sjellin ndihma me ushqime për banorët.