Vendosni fjalën kyçe....

Në Tiranë dhe në rrethe, çfarë pritet të bëjnë sot studentët


Prej disa ditësh tashmë, studentët e Universitetit të Tiranës e kanë përshkallëzuar protestën e tyre duke u ngujuar nëpër fakultete. Këtë të hënë, studentët kanë paralajmëruar se do të ketë ngujim masiv nëpër fakultete.

Dje ishte dita e fundit që studentët i kishin dhënë afat kryeministrit Edi Rama që të plotësojë kërkesat. Por në mungesë të një përgjigje nga ana e tij, studentët paralajmëruan të ngujohen në mënyrë masive.

“Studentët e Fakultetit të Drejtësisë kanë vendosur që ngujimi të vazhdojë dhe këtë javë që vjen. Ditën e hënë ne kemi ftuar të gjithë studentët e Fakultetit të Drejtësisë, por edhe student të fakulteteve të tjera që dëshirojnë të solidarizohen me ne, të ngujohen në ambientet e këtij fakulteti, për të treguar qëndrueshmërinë, vendosmërinë tonë për ta çuar kauzën deri në fund. Pastaj format e tjera të protestës janë në dorën e vetë studentëve.

Ne kemi bërë një thirrje pas orëve të para të mëngjesit të së premtes, kur u dhunuam nga policia private. Ne u kemi bërë thirrje të gjithë studentëtëve, të të gjitha fakulteteve, që të solidarizohen me ne, për t’u bashkuar e për t’u mbrojtur nga dhuna. Sigurisht ata iu kanë përgjigjur thirrjes sonë dhe kanë ardhur me ne. Jemi bashkë”, tha  dje një student i Juridikut.

Fillimisht ishin studentët e fakultetit juridik që e nisën këtë lloj forme të të protestuarit, të cilëve më pas iu bashkuan edhe ata të Ekonomikut, Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Urbanistikës si edhe të Politeknikut. Këta të fundit, duke qenë se nuk iu lejohej të ngujoheshin në fakultetin e tyre, janë bashkuar me studentët e fakulteteve të mësipërme.

Por që prej pasditesh së djeshme, të pajisur me maska dhe uniforma të bardha, edhe studentët e Mjekësisë iu bashkuan kësaj forme të të protestuari.

“Dënojmë dhunën që është ushtruar nga policia ndaj shokëve tanë të Fakulteteve të tjera dhe solidarizohemi me ta. U themi që Mjekësia është e gatshme t’i mbështesë me çfarëdo ndihme. Në kuadër të këtij solidarizimi kemi vendosur dhe ne të ngujohemi si Fakultetet e tjera. Jemi një grup me disa studentë, nesër presim të 2-3 fishohemi. Protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e  8 kërkesave dhe anulimin e ligjit të arsimit të lartë. Sonte ne do të flemë këtu, grupi prej 40-50 studentësh, ndërsa nesër do të vijojmë bojkotin te Fakulteti i Mjekësisë”, është shprehur një nga studentët.

 

Studentët e mjekësisë e kaluan natën te Fakulteti Ekonomik, ndërsa sot pritet të ngujohen në fakultetin e tyre.

Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, studentët e mjekësisë shihen teksa u kanë ikur dritat dhe protestojnë në errësirë.

Ata i kërkojnë kryeministrit Rama që të anullojë ligjin përndryshe të gjithë do ikin në Gjermani. Pas kësaj thirrje ato këndojnë këngën e Florit, ‘Skena me u pa mo bashk’.

Pas një periudhe të qetë, studentët e Shkodrës kanë vendosur gjithashtu të kthehen përsëri në protesta, duke paralajmëruar për sot një protestë masive. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe studentët e universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Studentët e rretheve ashtu sikurse edhe studentët e Tiranës, kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, ndërkohë që paralajmërojnë protesta për gjatë gjithë javës./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *