Templates by BIGtheme NET

Neglizhenca në bashkitë e Veliajt dhe Dakos, humbin jetën dy endacakë

 

Dy endacakë kanë humbur jetën nga i ftohti që ka kapluar vendin prej ditësh. Por pavarësisht vdekjes së të paktën dy të pastrehëve nga i ftohti, bashkitë në vend nuk janë organizuar për t’i strehuar këtë kategori të popullsisë që jeton pa një çati mbi kokë.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, e nisi janarin duke shprehur angazhimin e qendrave sociale në varësi të bashkisë, për të strehuar personat që enden në rrugë për shkak të të ftohtit. Njoftimi i pesë janarit i bashkisë ishte shoqëruar edhe me fotot e Abazit, një i moshuar i cili ishte në situatë rruge dhe i braktisur nga familja e tij.

Sipas njoftimit të bashkisë, tashmë Abazi kishte një strehë të ngrohtë ndërkohë që ishte nën kujdesin e vazhdueshëm të punonjësve social të Bashkisë së Tiranës.

Më tetë janar, Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e Komitetit Drejtues të Projekteve IADSA, çeli strehën e re, e cila ofron ndihmën e parë për njerëzit e rrugës me veshmbathje, ushqim dhe një shtrat për të kaluar natën. Madje vetë Veliaj dhe ambasadori i Italisë, Aberto Cutillo, vizituan mjediset e strehëzës së re.

Dy ditë më vonë Veliaj bëri edhe një postim në rrjetet sociale, mbi gatishmërinë e bashkisë për të strehuar njerëzit në rrugë. 

Por në kulm të të ftohtit të madh, një i pastrehë duket se i paska shpëtuar mbikëqyrjes së bashkisë. E po ashtu edhe shumë të pastrehë të tjerë vazhdojnë rrugëve në kryeqytet. Por Veliaj nuk ka reaguar për vdekjen e endacakut në Tiranë, fare pranë QSUT-së. 

Ndërkohë bashkia e Durrësit, të drejtuar nga Vangjush Dako, nuk ka sqaruar fare qytetarët dhe median për situatën e të pastrehëve dhe sot u raportua vdekja e parë nga i ftohti në qytet.

Vetëm gjatë janarit, deri më tani janë raportuar plot katër raste, që dyshohet se i ftohti është bërë shkak për ndarjen nga jeta.

Rasti i parë ka ndodhur në qarkun e Korçës, ku temperaturat në ditët e para të muajit kanë shkuar deri në -13 gradë.

Më 5 janar, 53-vjeçari Jani Poda nga fshati Ravokik, ka qenë shkuar me biçikletë në vendin e tij të punës, një fabrikë këpucësh dhe mendohet se është përplasur pa jetë në tokë. Ai ka rënë në një kanal por në trup nuk ka patur lëndime të rënda. Për këtë arsye dyshohet se ai ka pësuar një atak kardiak nga i ftohti.

Rasti i dytë është shënuar në kryeqytet. Mbrëmjen e 12 janarit, 68 vjeçari i pastrehë, Hasan Hykja, është gjetur i pajetë vetëm pak metra larg QSUT-së. Rasti është denoncuar fillimisht nga zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila ka publikuar edhe një video nga vendngjarja. Sipas saj, Hykja u nda nga jeta në të ftohtë pasi qendrat sociale nuk e pranonin sepse kishte këmbën e sëmurë diabetike.

Rasti i tretë është shënuar në qytetin e Durrësit, ku sot fare pranë portit është gjetur i pajetë një tjetër i pastrehë.

Viktor Dhima, quhet personi i pastrehë i cili kishte ditë që kishte ndërruar jetë dhe trupi i tij është gjetur i dekompozuar. Vëllai i viktimës kishte ditë që e kërkonte, por nuk e gjente dot. 

Rasti i fundit dhe i katërt ka ndodhur sërish në qarkun e Korçës, në fshatin Proptisht në Pogradec.

Ajet Zikollarin, 53-vjeç, i cili kishte shkuar për të marrë ushqime me gomar. Zikollari nga fshati Selcë e Sipërme kishte shkuar me gomar të merrte ushqime në  fshatin Proptisht, mirëpo nuk është kthyer më në banesë pasi kishte ngrirë  në borë.

Gomari kishte mbërritur në banesë pa të zotin dhe këtu kanë nisur dyshimet e familjarëve të cilët u vunë në kërkim të 53-vjeçarit dhe e kanë gjetur trupin e tij të ngrirë në borë.

Banorët e kësaj zone prej disa kanë bërë apel për ndihmë për ushqime edhe ilaçe, por ende askush nuk ka marrë masa. Edhe pse policia nuk ka dhënë ende asnjë informacion, ngjarja është pranuar nga administratori i zonës  Safet Doce, njësia  administrative Trebinjë. Ky rast tregon situatën e vështirë që po kalojnë banorët në fshatrat e bllokuar nga dëbora. /Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto