Vendosni fjalën kyçe....

PD: Rama e ka paracaktuar kompaninë fituese te Unaza e Re


Partia Demokratike ka deklaruar se kryeministri Rama e ka paracaktuar kompaninë që do ndërtojë lotin e parë te Unaza e re, pas publikimit të falsifikimit të dokumenteve për tenderin e lotit të parë, gjë që çoi në pezullimin e punimeve.

Në një dalje për mediat, Lealba Pelinku, deklaroi se kompania që është paracaktuar nga Rama si fituesja e tenderit është Gjoka Konstruksion.

Ajo ka theksuar se PD kërkon anulimin e projektit korruptiv ku një kilometër kushton 20 milionë euro ndërsa i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojë dhe të çojë para drejtësisë të gjithë ata që po vjedhin me tendera fasadë.

  • Edi Rama ka paracaktuar klientin e PPP-ve në infrastrukturë, Gjoka Konstruksion, si kompaninë fituese të ritenderimit tek Unaza e Re.
  • Projekti korruptiv 20 milionë euro për kilometër duhet anulluar i gjithi. Prokuroria të hetojë dhe të çojë para drejtësisë ata që po vjedhin me tendera fasadë.

Deklarata e Lealba Pelinkut

Edi Rama është peng i pazareve me oligarkët e ndërtimit, prandaj nuk tërhiqet nga projekti kriminal i Unazës së Re. 

Sot, po ndodh teatri i rradhës me projektin korruptiv 40 milionë euro. Është hapur gjoja tenderi për segmentin e Shqiponjës, ku Edi Rama u kap me presh në duar duke vjedhur me kompani fantazaëm, por e vërteta është se sërish fituesi është i paracaktuar. 

Kompania “Gjoka Konstruksion” është paracaktuar të shpallet fituese e një tenderi të manipuluar përmes kritereve shumë specifike dhe të pakapshme nga shumica dërrmuese e kompanive të ndërtimit.”

Askush nuk ka më dyshim se Edi Rama është ai që ka urdhëruar këtë projekt të zhvatjes së shqiptarëve, 20 milionë euro për 2.3 kilometra. 

Nuk shpjegohet ndryshe këmbëngulja e tij për të çuar 18 milionë euro një herë tek kompania fantazëm, e rregjistruar në parajsë fiskale, dhe tani tek kompania, e cila është ndër përfituesit e parë të megaprojektit hajdut “Shqipëria 1 miliardë euro”, nëpërmjet të cilit pastrohen paratë e korrupsionit. 

Një nga faktet se tenderi është fasadë dhe fituesi i paracaktuar ka të bëjë me kriteret e qepura për klientin e Ramës në PPP-të në infrasktrukturë.

Ato jo vetëm nuk kanë ndryshuar, por një prej kritereve, i vetmi që ka ndryshuar nga tenderi i parë, është bërë që i preferuari i Edi Ramës të futet në tender, por sërish duke përjashtuar shumë kompani të tjera.

Partia Demokratike e ka shprehur qartë qëndrimin e  saj: projekti korruptiv 20 milionë euro për kilometër duhet anulluar i gjithi.

Prokuroria duhet të hetojë dhe të çojë para drejtësisë të gjithë ata që herën e parë tentuan të vjedhin me mashtrim dhe kësaj here po tentojnë të vjedhin sërish me tender të paracaktuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *