Vendosni fjalën kyçe....

“Ultimatumi” amerikan ndaj Kosovës për mallrat serbe, çfarë deklaroi kryeministri Haradinaj


Qeveria e Kosovës ka mohuar se SHBA-ja, ka dorëzuar kërkesë për pezullimin e menjëhershëm të taksës ndaj Serbisë.

Donjeta Gashi, zëdhënëse në Qeverinë e Kosovës, ka thënë për Lajmi.net se “qeveria nuk ka pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga SHBA-të.”

“Qeveria nuk ka pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga SHBA-të në lidhje me këtë çështje”, ka thënë shkurt Gashi.

Ndërkohë kryeministri Haradinaj, ka deklaruar se Kosova është e gatshme ta pezullojë përkohësisht taksën 100% ndaj mallrave serbe, por me kusht që marrëveshja me Serbinë të zyrtarizohet me njohjen e Kosovës nga ana e Beogradit.

“Jam thellësisht i bindur për mundësinë e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje. Ne intensivisht po punojmë për një kontratë përfundimtare, marrëveshje finale, me ç’rast edhe dorëzuam Librin e Madh me kapituj dhe Draftin e kësaj marrëveshjeje.

Tërë këtë përmbajtje e kemi zhvilluar me qëllim për t’u siguruar se kur ulemi me Serbinë të kemi materie të qëndrueshme, me fakte dhe argumente. Vendosja e taksës ndaj produkteve të Serbisë nuk ka për qëllim pengimin dhe prolongimin e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje.

Përkundrazi, Qeveria e Kosovës do ta pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare, se do të ulemi për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke”, ka shkruar ai në faqen e tij në “Facebook”.

Sipas mediave në Kosovë, administrama amerikane kërkon pezullimin e menjëhershëm të taksës duke theksuar se ajo mund të rivendoset në rast se marrëveshja me Serbinë nuk arrihet.

Lista me pikat e përmbledhura të administratës amerikane për qeverinë e Kosovës

  1. Masat tarifore janë marrë pa asnjë konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
  2. Shprehim zhgënjimin e thellë, që pas letrës së Presidentit Trump drejtuar Presidentit Thaçi, jo vetëm që nuk ka pasur reflektim pozitiv nga ana e Qeverisë së Kosovës, por janë shtuar produktet të cilat i nënshtrohen tarifës.
  3. Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të tarifës. E njëjta tarifë mund të rivendoset në rast se dështon marrëveshja me Serbinë.
  4. Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën nuk është e pakushtëzuar. Kosova për momentin është përgjegjëse për rrezikun e dështimit të dialogut“.
  5. Nëse tarifa nuk pezullohet urgjentisht, SHBA-të do të pezullojë asistencën në fushën e sigurisë, pra mbështetjen për FSK-në.
  6. Suksesi dhe arritja e marrëveshjes nuk ndërlidhen me rolin e znj. Federica Mogherini dhe BE-në. Arritja e marrëveshjes është interes strategjik i SHBA-ve, prandaj është e papranueshme për ne vënia në pikëpyetje e këtij qëllimi strategjik nga ana e veprimeve të papergjegjshme të liderëve kosovarë.
  7. Në rast se marrëveshja dështon për shkak të Kosovës, barrën e përgjegjësisë dhe pasojat do t’i mbajë vetë Kosova dhe individët përgjegjës për këtë dështim.
  8. Kosova me sjelljet e saj të papërgjegjshme po e rrezikon seriozisht miqësinë me SHBA-të.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *