Debati që u hap ditën e djeshme ishte: “A e lejon Kushtetuta kryeministrin Edi Rama që të jetë edhe ministër i Jashtëm?” Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ka cituar dy nene të Kushtetutës, që sipas interpretimit të tij nuk e lejojnë kryeministrin të jetë edhe Ministër i Jashtëm. Bëhet fjalë për nenet 95 dhe 103.
“Shënim:
Sipas Kushtetutës neneve 95 dhe 103, Kryeministri dhe ministri janë dy funksione/detyra kushtetuese më vete.
Të dy këto funksione veprojnë në përbërje të Këshillit të Ministrave dhe njëkohësisht si titullarë të institucioneve.
Neni 103 e ndalon specifikisht ministrin të kryejë funksione të tjera.
Pra vërtetë Kryeministri nuk ndalohet të jetë ministër, por ministri nuk mund të jetë njëkohësisht edhe Kryeministër.
I njëjti debat vlen edhe për pozitën e Zëvendëskryeministrit. Në të shkuarën kemi patur Zëvendëskryeministër dhe ministër. Sipas këtij leximi që i bëj Kushtetutës me rezulton që është e gabuar që në person të mbajë dy funksione brenda qeverisë.”, shkruan Manjani.
Më tej, Manjani ka shtuar se këto nene u shkruan në mënyrë të tillë pikërisht për të ndaluar idenë që kryeministri dhe ministri i jashtëm të jenë i njëjti person.
“Ps. Ky ka qënë një diskutim i gjatë gjatë hartimit të këtyre neneve të Kushtetutës dhe u shkrua kështu pikërisht për të ndaluar këtë propozim që bën sot Edi Rama.
Kuriozët mund ta gjejnë këtë informacion në zbardhjen e debatit për hartimin e Kushtetutës, që është një zbardhje e regjistrimeve të mbledhjeve të Komisionit Shtetëror për Hartimin e Kushtetutës.”, vijon më tej Manjani.
Kryeministri Edi Rama e dha lajmin se kishte vendosur të ishte edhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë me anë të një postimi në “Twitter” deri në formimin e Kushtetueses.
“Presidenti s’e ka çdekretuar Ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë që vjen shumë shpejt,do të jem de jure në këtë rol sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit.” – shkruan Rama.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e djeshme të kryesisë së Partisë Socialiste, pas ngërçit Rama-Meta për ndryshimin e ministrit të Jashtëm.