Një ditë më parë kryeministri Edi Rama e quajti kazan “Zërin e Amerikës”, pasi kjo e fundit publikoi përgjimet për ish-drejtorin e burgut Arben Çukon për punësimet në administratat e Lushnjës dhe Fierit.
“Erdhi dita që Zëri i Amerikes të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”, shprehet Rama në twitter.
Por këtë koment të Ramës ka reaguar edhe Drejtori për Europën dhe Azinë i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj i cili shprehet se ky investigim është i saktë ashtu si të gjitha lajmet e publikuara nga kjo media.
“Shërbimi shqiptar i Zërit të Amerikës ka siguruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe unë garantoj plotësisht integritetin dhe gjykimin e lajmit. Shërbimi shqiptar vijon me krenari misionin e prodhimit të gazetarisë së vlerave në mbështetje të demokracisë dhe lirisë dhe t’i sigurojë audiencës së tij lajme dhe informacione të sakta, objektive dhe të balancuara në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjet e duhura. Denoncimi i Zërit të Amerikës zbuloi se si zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste përdornin vendet e lira të punës në administratën e burgjeve për të punësuar militantët e tyre.”, shprehet ai për “Ora News”.