Templates by BIGtheme NET

Sandër Lleshajt i djegin skemën, ministri i Brendshëm: Balilin e arrestuam ne!

Ministria e Brendshme kishte njoftuar për një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp mesditën e sotme.

Ashtu siç ishte lajmëruar, në mesditë, zv.ministri i Parë, Sandër Lleshaj, doli para mediave dhe lexoi një deklaratë duke thënë se policia kishte arrestuar të shumëkërkuarin e policisë së vendit dhe asaj ndërkombëtare, Klement Balilin.

“Policia shqiptare ka finalizuar sot një operacion të gjatë, të ndërlikuar dhe shumë të rëndësishëm, për dorëzimin e Klement Balilit, pas një procesi operativo-gjurmuese, në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe me partnerët tanë.

Arrestimi i sotëm është një rezultat shumë domethënës për drejtësinë në Shqipëri dhe një provë e qartë se Policia e Shtetit është në një nivel krejt të ri gatishmërie për t’u përballur në emër të ligjit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Me gjithë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka operacioni për arrestimin e Klement Balilit, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera me përgjegjësi për sigurinë e vendit dhe për zbatimin e ligjit, e dinë mirë se operacioni vazhdon dhe se forca goditëse e ligjit, gjerësia dhe thellësia e tij do të njohin intensitet të ri edhe me të tjerë që do të shkojnë prapa hekurave.” – tha ndër të tjera Lleshaj në deklaratën e tij.

I pyetur nga gazetarët nëse bëhej fjalë për vetëdorëzim të Balilit, apo për arrestim, Lleshaj u përgjigj duke thënë: “Për këdo që njeh sadopak punën operative gjurmuese dhe natyrën e operacioneve të tilla për ndalimin e personave të këtij karakteri, besoj do të jetë e qartë që kurrë nuk mund të ketë një dorëzim vullnetar të një personi të kriminalizuar në këtë nivel drejt stacioneve të policisë.

Procesi është rezultat i një operacioni të gjerë dhe të thellë, të ndërlikuar, në bashkëpunim dhe me partnerë të Shqipërisë, të cilët kanë mundësuar që personi në fjalë të dorëzohet në Policinë e Shtetit.”

Ndërkohë, një orë më parë, ish-kryeministri Berisha me anë të një postimi në faqen e tij në Facebook, shkruante se Klement Balili është dorëzuar në prokurorin e Krimeve të Rënda.

Ky lajm më pas u pohua edhe nga njëri prej avokatëve të Balilit, ish-Kryeprokurori Sollaku, i cili nuk sqaroi rrethanat e dorëzimit të klientit të tij.

A ia dogji Berisha skemën Sandër Lleshajt për Klement Balilin?! /Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

Komento i pari

avatar
  Subscribe  
Më njofto