I shumëkërkuari nga policia Klement Balili, sipas ish-kryeministrit Sali Berisha është vetëdorëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, sëbashku me nipin e tij Rigels Balili.
“Dorëzohet Klement Balili! Qytetari dixhital informon.”, shkruan Berisha i cili i referohet qytetarit dixhital.
“Përshëndetje doktor, vetëdorëzohet Klement Balili në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai është nisur drejt Tiranës me Rigels Balilin”, shkruan qytetari.
Pavarësisht denoncimit të Berishës, policia ende nuk e ka konfirmuar këtë lajm, por avokati i Balilit, Baftjar Rusi e ka konfirmuar për “Top Channel”, se klienti që mbron është paraqitur vetë në polici. Aktualisht Balili ndodhet në ambientet e Policisë së Shtetit, në shoqërinë e avokatit tjetër , Theodhori Sollaku.
Sipas gazetares Klodiana Lala, Balili është vetëdorëzuar sot në orën 08:45 të mëngjesit mes Delvinës dhe Finiqit, ndërsa gjithçka është bërë në prani të drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Aktualisht Balili ndodhet në ambientet e komisariatit nr.6 në Tiranë.
Balili njihet ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, për shkak se akuzohet se ka trafikuar sasi të mëdha lëndë narkotike drejt vendeve fqinje duke u shpërndarë më pas në gjithë Europën dhe është në kërkim ndërkombëtar.
Hetimet ndaj tij nisën në vitin 2016, kohë kur dhe shteti grek kishte rënë në gjurmët e një rrjeti të madh të trafikut të drogës dhe që prej asaj kohe nuk dihet më vendodhja e tij.
Për kapjen e Klement Balilit, në qarkun kohor të dy viteve, policia ka zhvilluar të paktën 14 operacione në disa qytete në jug të vendit, mirëpo që të gjitha kanë dështuar, ndërsa ka patur dhe akuza se operacionet janë dekonspiruar.
Në një dosje të vitit 2016, të mbërritur në Shqipëri nga autoritetet greke, thuhej që organizata kriminale shqiptaro-greke e drejtuar nga Klement Balili vepronte si një trup i vetëm, duke mos braktisur asnjë bashkëpuntor edhe nëse ai arrestohej nga policia.
Sipas dosjes, familja e të arrestuarit mbështetej financiarisht me para të thata, ndërkohë që njëherësh ofrohej pagesa edhe për avokatët mbrojtës që do mbronin të arrestuarit në gjyq. Kjo frymë kishte krijuar një unitet mes anëtarëve të grupit, të cilët kanë vepruar në këtë trafik për dhjetëra vite me rradhë.
Për shkak se territori i organizatës ishte zgjeruar ndjeshëm, ku sipas raporteve të policisë helene thuhet se grupi ishte ndarë në tre celula kryesore, me qendër në Sarandë, ku qëndronte, drejtonte e financonte, Klement Balili, i cilësuar si “Eskobari i Ballkanit”.
Në Athinë vepronte Georgios Alifantis bashkëpunëtori më i ngushtë i Balilit dhe njëkohësisht koordinatori i transportit, depozitimit të përkohshëm dhe shpërndarjes nëpër Greqi të kanabisit të papërpunuar. Ndërkohë sipas të njëjtës dosje, në Bruksel vepronte me të drejta të deleguara një tjetër drejtues Shqiptar që quhet Dhimitër Poti së bashku me vëllanë Xhevahir Poti.
Vetëdorëzimi i “Escobar-it të Ballkanit” vjen vetëm pak ditë pas lajmit se Greqia i është përgjigjur në fund të dhjetorit të kaluar, përmes një letërporosie, kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që këmbëngulte t’i dorëzoheshin prova shtesë të 46-vjeçarit.
Justifikimi kryesor i Prokurorisë për zgjatjen tre herë të afatit hetimor për Balilin në 2018-ën, ishte pikërisht kjo letërporosi./Hashtag.al