Agjensia kineze e hapësirës ka ofruar një tjetër video të sondës “Chang’e 4” që është ulur në Hënë para pak ditësh, në pjesën e errët dhe ende të paeksploruar të satelitit të planetit tonë.
Në pamjet e publikuara nga “Weibo”, roboti shihet teksa ecën ngadalë mbi sipërfaqen gri të Hënës duke lënë gjurmët e thella.
Mjeti pastaj rrotullohet mbi katër rrotat e vogla për të treguar më pas flamurin kombëtar kinez drejt kamerave, ndërsa një fonogram dramatik elektronik luan në sfond.
“Chang’e 4”, i emëruar me emrin e perëndeshës së Hënës Kineze, u ul në kraterin Von Karman në pellgun e Pol-Aitken më 3 janar.
Sonda ka dërguar tashmë një numër fotografish fantastike nga “anët e errëta” të Hënës, anën që kishte mister për shkencëtarët prej shumë kohësh.
Mbërritja dhe komunikimi ka qenë tejet i vështirë duke qenë se është shumë larg nga Toka dhe pengohet nga radiofrekuencat.
Por Kina e anashkaloi këtë ndërlikim duke nisur një satelit më herët që mundësoi mbajtjen e kontakteve me “Chang’e 4”.