Mbrëmjen e kaluar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, është publikuar një fragment nga intervista e Klement Balilit për gazetarin investigativ Artan Hoxha.
Në këtë video, Balili shfaqet duke thënë se ka vendosur të vetëdorëzohet në momentin kur dosja e ardhur nga Greqia i është dhënë drejtësisë shqiptare.
“Drejtësia nuk kishte dokumentet e duhura që të më çonte në gjykatë dhe unë të përballasha me drejtësinë. Unë vendosa të dorëzohesha në këto momente, pasi nga avokati më erdhi informacioni se dosja ka ardhur për t’u gjykuar. Çështja ime i kaloi drejtësisë shqiptare dhe unë e kam deponuar edhe vetë më përpara se do të dorëzohesha. Nga ky moment që dosja i kaloi drejtësisë shqiptare, unë jam i gatshëm të përballëm”,janë fjalët e Balilit.
Klement Balili njihet ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, për shkak se akuzohet se ka trafikuar sasi të mëdha lëndë narkotike drejt vendeve fqinje duke u shpërndarë më pas në gjithë Europën dhe është në kërkim ndërkombëtar.
Hetimet ndaj tij nisën në vitin 2016, kohë kur dhe shteti grek kishte rënë në gjurmët e një rrjeti të madh të trafikut të drogës dhe që prej asaj kohe nuk dihet më vendodhja e tij.
Për kapjen e Klement Balilit, në qarkun kohor të dy viteve, policia ka zhvilluar të paktën 14 operacione në disa qytete në jug të vendit, mirëpo që të gjitha kanë dështuar, ndërsa ka patur dhe akuza se operacionet janë dekonspiruar.
Pas operacioneve të dështuara të policisë, më 15 janar Klemend Balili vendosi të vetëdorëzohej në polici.