Vendosni fjalën kyçe....

“Krahu i djathtë” i El Chapos dëshmi të fortë në SHBA: 100 milionë dollarë ia dhamë ish-presidentit


Joaquin “El Chapo” Guzman dhe ish-presidenti meksikan, Enrique Pena Nieto

“Krahu i djathtë” i bosit të kartelit meksikan të drogës “Sinaloa”, Joaquin Guzman, ka dhënë një dëshmi të fortë në gjyqin ndaj “El Chapo”-s.

Ish-presidenti meksikan Enrique Pena Nieto pranoi një ryshfet prej 100 milionë dollarësh nga kreu i kartelit meksikanë të drogës Sinaloa, Joaquin “El Chapo” Guzman, tha një dëshmitar në gjyqin që po zhvillohet ndaj El Chapo-s në SHBA. 

Alex Cifuentes, i cili ka dëshmuar se ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i Guzmán për vite me radhë, i tha një gjykate në New York, se u kishte treguar autoriteteve për ryshfetin në vitin 2016.

Guzmán akuzohet se është kreu i kartelit të drogës Sinaloa, për të cilin prokurorët thonë se ishte furnizuesi më i madh i drogës në SHBA.

Pena Nieto ka qenë president i Meksikës nga viti 2012 në vitin 2018.

Ish-presidenti meksikan, Enrique Pena Nieto

Guzman, 61 vjeç, po gjykohet në SHBA që nga nëntori pasi u ekstradua nga Meksika për t’u përballur me akuzat për trafikim të kokainës, heroinës dhe drogave të tjera, si kreu i asaj që SHBA e quajti karteli më i madh i drogës në botë.

Sipas gazetarëve që janë në gjykatën e Bruklinit, Pena Nieto kishte kërkuar 250 milionë dollarë para se të ulej dhe të pranonte ryshfetin 100 milionë dollarë.

Cifuentes pretendoi se dorëzimi ishte bërë në kryeqytetin meksikan Mexico City në tetor 2012 nga një mik i “El Chapo”-s.

Cifuentes, një bos kolumbian i drogës, i cili e ka përshkruar veten si “krahu i djathtë” i El Chapo-s, ka punuar si sekretar i tij dhe ka kaluar dy vjet duke u fshehur së bashku me të në malet meksikane, sipas prokurorëve.

Ai u arrestua në Meksikë në vitin 2013 dhe u ekstradua më vonë në Shtetet e Bashkuara, ku ai u deklarua fajtor për trafikun e drogës, pas një marrëveshjeje me prokurorët.

Grafikë nga gjyqi i El-Chapos në SHBA

Ish-presidenti Pena Nieto nuk i është përgjigjur pretendimit të këtij të fundit, por ka hedhur poshtë më herët akuzat për korrupsion që kanë dalë gjatë gjykimit të El-Chapo-s që prej nëntorit.

Avokati i Guzmann, Jeffrey Lichtman, ka argumentuar se udhëheqësi i vërtetë i kartelit Sinaloa është Ismael “El Mayo” Zambada.

Ai pretendon se zoti Zambada i ka mbijetuar ndjekjes penale pasi ka paguar ryshfet për të gjithë zyrtarët e qeverisë meksikane, duke përfshirë Pena Nieto-n dhe ish-presidentin tjetër, Felipe Calderon.

Pena Nieto dhe Calderon i hodhën poshtë menjëherë akuzat, duke i quajtur ato “absolutisht të rreme dhe të pamatura”.

Në nëntor, një anëtar tjetër i kartelit dëshmoi se një ndihmës i presidentit aktual meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, dyshohet se kishte paguar një ryshfet në vitin 2005.

Cifuentes dëshmoi më parë të premten se El Chapo kishte urdhëruar t’i jepej një ryshfet prej 10 milionë dollarësh ndaj një gjenerali madhor, por më vonë kishte vendosur ta ekzekutonte atë. Ekzekutim që nuk u krye asnjëherë. /Hashtag.al

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e BBC


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *