Këngëtarja e famshme nga Barbados, Rihanna, ka dërguar në gjykatë babanë e saj, pasi e akuzon se i ka përdorur emrin pa të drejtë, për të zgjeruar biznesin e tij të argëtimit.
Rihanna pretendon se i ati, Ronald Fenty dhe partneri i tij, kanë lidhur gabimisht emrin e këngëtares me firmën e tyre “Fenty Entertainment”, shkruan “BBC”.
Sipas Rihanna-s, sjellja e tyre ka mashtruar publikun dhe ka dëmtuar imazhin e kompanisë së saj të burkurisë, “Fenty”, pasi në padi thuhet që Rihanna vetë zotëron marka tregtare në SHBA me emrin “Fenty”.
Rihanna i ka kërkuar gjykatës që të pengojë firmën që të përdorë emrin “Fenty” për biznes.
Ronald Fenty, me të cilin Rihanna ka thënë se ka një marrëdhënie të vështirë, themeloi firmën në Kaliforni në 2017 me partnerin e biznesit, Moses Perkins.
Në një njoftim për shtyp, i postuar në faqen e internetit të firmës deri në “të paktën në tetor të 2018-ës” njoftoi nisjen e firmës me Rihanna-n, pavarësisht faktit se ajo nuk ishte e përfshirë.
Në një tjetër rast, Fenty Entertainment hyri në negociata për Rihannën për të kryer 15 shfaqje në Amerikën Latine për rreth 15 milion dollarë, pa autorizimin e saj.