Vendosni fjalën kyçe....

Marrëveshja e Prespës javën e ardhshme shkon në Parlamentin grek


Marrëveshja e Prespës vazhdon të jetë tema kryesore në Greqi. Kryetari i Kuvendit, Nikos Vucis, pas mbledhjes së partisë në pushtet SYRIZA, deklaroi se deri në fund të javës së ardhshme marrëveshja do të miratohet nga ligjvënësit grek.

Edhe pse opozita greke ka kërkuar që pushteti të mos shpejtojë ratifikimin, është në dorën e kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit që të vendos nëse Marrëveshja do të shqyrtohet në një apo më shumë komisione dhe në një ose më tepër seanca.

Siç njoftojnë mediat greke, ratifikimi, ligjërisht mund të kalojë me më pak se 151 vota. Pra nevojitet që të ketë shumicë nga deputetët e pranishëm në votim. Megjithatë, Qeveria greke tenton të sigurojë shumicë absolute.

SYRIZA e kryeministrit Aleksis Cipras tashmë i ka të siguruar 145 vota të grupit të saj parlamentar, por pritet që të marrë edhe mbështetjen e deputetëve të “Grekëve të Pavarur” të cilët i dolën në krah kryeministrit gjatë Votëbesimit të Qeverisë.

Në takimin e djeshëm, partia POTAMI, ka vendosur që të lë të lirë deputetët e saj, për të votuar ose jo për Marrëveshjen e Prespës. Deri tani, dy nga deputetët e kësaj partie veç më kanë deklaruar mbështetjen.

Derisa pushteti bënë llogaritë e votave, Andonis Georgiadis nga partia opozitare Demokracia e Re, ka ftuar qytetarët grekë në protestë. Ai ka deklaruar se “Të hënën në sheshi Sintagma, duhet të ketë numër sa më të madh të protestuesve, pasi këtë e kanë obligim patriotik”.

Për shkak se Opozita e udhëhequr nga Kirijakos Micotakis, e refuzon ashpër Marrëveshjen e Prespës, kryeministri grek Aleksis Cipras e ka ftuar atë në debat televiziv, që Micotakis të mund ti shpalos argumentet e tij kundër Marrëveshjes. Por kjo ftesë është refuzuar nga Demokracia e re e Micotakisit. Nga kabineti qeveritar njoftuan se të dielën Marrëveshja e Prespës do tu shpërndahet të gjithë qytetarëve të Greqisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *