Vendosni fjalën kyçe....

Meta firmos dekretin, emëron kryeministrin Rama si ministër të Jashtëm


Presidenti Meta ka dekretuar kryeministrin Rama si ministër të Jashtëm dhe ka dekretuar shkarkimin e Ditmir Bushatit. Ditën e djeshme në Presidencë u zhvillua ceremonia e betimit të zv.kryeministrit dhe ministrave të rinj, kurse sot Meta ka dekretuar edhe emrin e Ramës.

Vendimi për Ramën si ministër të Jashtëm u mor në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste në fillim të javës dhe sipas kryeministrit, shkak për këtë ishte bërë ngërçi me kreun e shtetit për emrin e Gent Cakajt, që ishte propozimi i Ramës për zëvendësimin e Bushatit.

Ai i Cakajt ishte emri i vetëm që Meta nuk e dekretoi nga të gjithë emrat e propozuar prej kryeministrit Rama dhe në argumentimin e kreut të shtetit, shkak për këtë ishte bërë mungesa e përvojës së Cakajt, mospasja e certifikatës së sigurisë prej tij si dhe deklaratat për ndryshimin e kufijve në Ballkan, të cilët u cilësuan si të rrezikshme për rajonin.

“Presidentit të Republikës më datë 14 janar 2019, i është paraqitur propozimi i ri për emërimin e z. Edi Rama, Kryeministër edhe në funksionin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e Ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

 Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestar të dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është njëveprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar.

 Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

 Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe 98 pika 1 të Kushtetutës, sot më datë 18.01.2019, ka vendosur me Dekret që :   Z.Ditmir Bushati ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkarkohet nga kjo detyrë dhe zoti Edi Rama, Kryeministër, emërohet edhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.” – thuhet në njoftimin e zëdhënësit të presidentit. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *