Vendosni fjalën kyçe....

Rama “rreshton” qeverinë te “Turbina”, monologje dhe premtime


Kryeministri Rama ka mbledhur sot një pjesë ministrash të qeverisë së tij, rektorët dhe dekanët në universitete dhe fakultete, një pjesë pedagogësh dhe disa studentë në sallën e “Turbinës”, ku po diskutojnë lidhur me Paktin për Universitetin.

Fjalën e kanë marrë me radhë ministrat e qeverisë, të cilët pasi kanë bërë monologjet e tyre, janë zotuar që të bëjnë pjesën e tyre me anë të institucioneve që drejtojnë për Paktin për Universitetin.

Në ndërhyrjen e tij pas fjalës së një pedagogeje, Rama, i cili foli i fundit, tha se qeveria po i dëgjon studentët, gjë për të cilën përgjegjësinë e parë e kishte pasur universiteti, pasi këtë gjë ia mundëson dhe kërkon Ligjit për Arsimin e Lartë.

“Dua të bëj një ndërhyrje të shkurtër për zonjën që foli, patjetër që qeveria është e angazhuar në kapacitetin e vet për të dëgjuar studentët.Pyetja ime është po ju zonjë i dëgjoni studentët. Nuk e kam me ju, personalisht. Qeveria po dëgjon sot, ato që duhet t’i kishit dëgjuar gjithë këto vite, se ligji i arsimit të lartë.

Se ato janë fëmijët tanë nuk mund t’i kthejmë në një lojë ping-pongu. Ligji për Arsimin e Lartë ju takon ju. Thoni studentëve të vërtetën. Ne nuk duam të bëjmë detyra përtej atyre që kemi. Këto që po bëjmë nuk janë detyrat tona janë tuajat. Nga ligji ju kërkoni liri dhe nuk kërkoni të kenë përgjegjësi. Ata që thonë studentët do t’i bëjmë  një nga një. Mos prisni ditën që unë të bëhem me studentët kundër jush.” – tha Rama.

Ai shtoi më tej se qeveria do nisë verifikimin e titujve shkencorë ndërsa tha se për këtë çështje ka disa mënyra të cilat do shihen në përputhje me ligjin.

Rama tha gjithashtu se universitetet duhet të fillojnë të prodhojnë të ardhura ashtu siç ndodh në gjithë botën, pasi deri tani 2 mundësitë e financimit të tij janë prindërit e nxënësve e studentëve dhe buxheti i qeverisë. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *