Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka, i cili sot u konfirmua në këtë detyrë gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, ka treguar para mediave dy vendimet më të rëndësishme që ky Këshill ka marrë sot.
Paloka konfirmoi se është marrë vendimi për zhvillimin e protestave dhe për një qeveri kalimtare për të përgatitur zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
“Pas bisedimeve që hapi opozita menjëherë pas asaj që ndodhi në Parlament në seancën e fundit, sot Këshillit Kombëtar iu kërkua të merrte një vendim lidhur me qëndrimin politik që do mbajë PD.
Dhe Këshilli Kombëtar ngarkoi strukturat që do të merren me organizimin e protestës me qëllimin e vetëm rrëzimin e Edi Ramës.
Këshilli mori vendimin politik që si zgjidhje politike mbas rrëzimit të qëverisë Rama, të jetë një qeveri tranzitore që do të merret me përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Jam i bindur që ky vendim do mbështetet nga e gjithë opozita e bashkuar. Çdo çështje tjetër do të jetë në funksion të një qëllimi të vetëm që është rrezimi i qeverisë. Votimi ishte anonim ndërsa pjesa tjetër e Sekretariatit po votohet akoma.”, tha Paloka.