Banorët e fshatit Kalush të Lushnjës, janë ngritur në protesta nga frika e përmbytjeve.
Ata janë mbledhur mbi argjinaturë për t’i bërë thirrje shtetit që të ndërhyjë, në mënyrë që të mos përsëritet përmbytja e vitit të kaluar.
Nëse shteti nuk ndërhyn te argjineratura dhe në shtratin e lumit, rrezikohen të përmbyten me qindra hektarë tokë.
“Kemi frikë se në këtë periudhë reshjet janë të shumta dhe lumi mund të na përmbytë shtëpitë. E vuajtëm dy vite më parë kur uji na u fut në shtëpi, tani duam zgjidhje,” – tha një nga banorët.
Banorët e fshatit Kalush kanë si burim kryesor të ardhurash bujqësinë. Mirëpo vitet e fundit, përmbytjet në këtë fshat kanë bërë që shumica e këtyre banorëve të heqë dorë nga punimi i tokës.
“Jemi të detyruar që edhe tokën ta lëmë djerrë. Vetëm jonxhë mund të mbjellim pasi për të tjerat as që bëhet fjalë, marrin fund,”- thotë një tjetër banor.
Edhe investitorët e huaj të cilët pak kohë me parë morën toka me qira tashmë janë larguar.
Në 11 shkurt të 2018-ës, banorët e këtij fshati u ngritën në protesta, për tokat e përmbytura nga dalja e Lumit Shkumbin dhe ende sot nuk i kanë marrë dëmshpërblimet.