Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe faktin se çfarë do të sillte në rastet kur cenohen marrëdhëniet. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Thaçi tha se në rast të cenimit të raporteve me SHBA, cenohej edhe shteti i Kosovës.
Sipas Thaçit, tekat personale të liderëve shtetërorë nuk guxojnë të lëndojnë interesin shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën.
Postimi i plotë:
“Duhet të jemi krenarë për lirinë që e gëzojmë dhe për ndërtimin e shtetit tonë. Jo shumë vite më parë, kjo ishte vetëm një ëndërr e largët. Tani është realitet i përjetshëm. Rrugëtimi ynë ishte tepër i gjatë dhe me plotë vështirësi e sakrifica. Por, ne nuk ishim të vetmuar përgjatë këtij rrugëtimi. Suksesi ynë historik do të ishte i pamundur pa ndihmën e SHBA-së dhe aleatëve tjerë perëndimorë. Prandaj, duhet të jemi mirënjohës përgjithmonë.
Miqësia e Kosovës me SHBA-në është e përhershme, mirëpo përkrahja amerikane nuk mund të konsiderohet e pakushtëzuar në rast se ne bëjmë gabime që i vënë në pikëpyetje interesat dhe vlerat amerikane në Kosovë, rajon dhe Evropë. Vlerat tona dhe vizioni ynë përputhen me ato amerikane.
Zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane. Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit.
Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës. Cenimi i raporteve me SHBA-në, i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cenimit të shtetit tonë”, ka shkruar Thaçi.