Në mbledhjen pa praininë e mediave të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, është marrë vendimi për zhvillimin e protestave dhe për një qeveri kalimtare për të përgatitur zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
” 1-Të ngarkojë strukturat drejtuese të partisë me organizimin e protestave me qëllim largimin e qeverisë së Edi Ramës.
2-Të mbështesë si zgjidhje politike të krizës në vend krijimin e një qeverie kalimtare me qëllim përgatitjen e zgjedhjeve të lira e te ndershme.” janë dy vendimet të cilat i konfirmoi dhe nënkryetari i PD-së Edi Paloka në një dalje për mediat.
“Pas bisedimeve që hapi opozita menjëherë pas asaj që ndodhi në Parlament në seancën e fundit, sot Këshillit Kombëtar iu kërkua të merrte një vendim lidhur me qëndrimin politik që do mbajë PD.
Dhe Këshilli Kombëtar ngarkoi strukturat që do të merren me organizimin e protestës me qëllimin e vetëm rrëzimin e Edi Ramës.
Këshilli mori vendimin politik që si zgjidhje politike mbas rrëzimit të qëverisë Rama, të jetë një qeveri tranzitore që do të merret me përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Jam i bindur që ky vendim do mbështetet nga e gjithë opozita e bashkuar. Çdo çështje tjetër do të jetë në funksion të një qëllimi të vetëm që është rrezimi i qeverisë. Votimi ishte anonim ndërsa pjesa tjetër e Sekretariatit po votohet akoma.”, tha Paloka.
Sakaq janë zbuluar edhe emrat e parë të të përzgjedhurve për postet e rëndësishme në PD.
Ish-presidenti Bujar Nishani është zgjedhur Kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Ndërsa Halim Kosova është zgjedhur Kryetar i Komisionit të Integritetit dhe Etikës.
Jemin Gjana është zgjedhur Kryetar i Komisionit Zgjedhor në PD.
Arben Ristani është zgjedhur si Kryetar i Komisionit të Apelimit, ndërsa Alfred Rushaj Kryetar i Bordit Financiar.
Ndërkohë që në mbledhjen e Këshillit janë konfirmuar në postin e nënkryetarit Edi Paloka dhe Edmond Spaho. Votimi për zgjedhjen e sekretarëve dhe anëtarëve të Kryesisë së PD vazhdon ende.
Në mbledhjen e sotme, kreu i PD-së, Lulzim Basha e konsideroi 2019-ën si vitin e sfidave të mëdha, ndërsa theksoi se misioni i madh dhe detyra historike e PD është një ndryshim transformues./Hashtag.al