Vendosni fjalën kyçe....

Bashkia Skrapar padit Prefektin e Beratit në Prokurori


Bashkia e Skraparit depozitoi mëngjesin e sotëm në organin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, padinë penale për “shpërdorim detyre” ndaj prefektit të qarkut të Beratit, Harrilla Dafa.

Lajmi është bërë i ditur nga Kryetari i bashkisë së Skraparit, Nesim Spahiu,i cili akuzon prefektin se ka shkelur procedurat ligjore për zhvillimin e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak

Sipas kryebashkiakut Nesim Spahiu, shkak i kësaj padie ka qenë veprimi antiligjor i Prefektit të Beratit, Harrilla Dafa, i cili në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, ka organizuar mbledhjen e këshillit bashkiak Skrapar, pa prezencën jo vetëm të Kryetarit të bashkisë së Skraparit, por pa prezencën edhe të përfaqësuesve të kësaj bashkie.

Kryebashkiaku i Skraparit, Nesim Spahiu, ka bërë të ditur se, mbledhja e Këshillit Bashkiak, e zhvilluar në 4 Janar 2019, për buxhetin e bashkisë Skrapar, është thirrur nga Prefekti i Beratit Harrilla Dafa, vetëm me prezencën e këshilltarëve të Partisë Socialiste.

Ndërkohë mbledhjet duhet t’i thërrasë kryetari i bashkisë dhe prezenca e tij dhe e administratës bashkiake është e domosdoshme në diskutimet për buxhetin.

Në këtë mbledhje të jashtëligjshme, pohon Spahiu, me votat e këshilltarëve socialistë, është vendosur shkurtimi drastik në nivelin 50% të buxhetit të Bashkisë së Skraparit. “Ky votim antiligjor ka bërë që 65% e stafit të administratës së bashkisë së Skraparit të reduktohet dhe 148 punonjës të kësaj bashkie të flaken në rrugë”

Sipas Spahiut, ky veprim është urdhëruar dhe nga deputeti i rilindjes në Skrapar, Adnor Shameti.

Për të gjitha këto arsye, bashkia e Skraparit ka bërë gati padinë penale ndaj Prefektit të Beratit, Harrilla Dafa për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të procedurave ligjore” dhe e ka depozituar atë sot në organin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat.

Edhe organi i prokurorisë Berat ka konfirmuar mbërritjen e padisë penale pranë këtij institucioni.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *