Presidenti Meta ka propozuar Bahri Shaqirin si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në propozimin e tij, kreu i shtetit thekson se Shaqiri i plotëson kushtet dhe kriteret ligjore për këtë pozicion si dhe është një kandidaturë me përvojë në drejtimin e institucioneve.
Shaqiri ka një përvojë 26-vjeçare në institucionet shqiptare si: Ministria e Financave, Shërbimi Informativ i Shtetit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe aktualisht në Institucionin e Presidentit të Republikës.
Njoftimi i Presidencës
Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11063, datë 19.01.2019, ka vendosur t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë që z. Bahri Shaqiri të zgjidhet në pozicionin Kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Zoti Bahri Shaqiri plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë në drejtimin e institucioneve.
Gjatë eksperiencës 26-vjeçare të punës në institucionet e larta shtetërore si: Ministria e Financave, Shërbimi Informativ i Shtetit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dhe aktualisht në Institucionin e Presidentit të Republikës, z. Bahri Shaqiri ka treguar integritet të lartë moral dhe profesional në ushtrimin me sukses të detyrave kaq të rëndësishme.
Zoti Shaqiri gjatë ushtrimit të detyrave të mësipërme, ka patur bashkëpunim të shkëlqyer me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomiko-financiar.
Zoti Shaqiri ka njohuritë e duhura në fushën e ligjit dhe auditimit për të garantuar drejtimin profesional të këtij institucioni të pavarur.
Dekreti i Presidentit të Republikës dhe dokumentacioni shoqërues i kësaj kandidature i përcillet sipas ligjit Kuvendit të Shqipërisë për miratim.
Më poshtë një përmbledhje e CV-së, të kandidaturës së propozuar :
CURRICULUM VITAE
BAHRI SHAQIRI
TË DHËNA PERSONALE:
Datëlindja: 08.6.1970
Vendlindja: Tiranë
EDUKIMI DHE KUALIFIKIME
1988-1992 Dega Drejtësi, Fakulteti i Drejtësië, Universiteti i Tiranës
2006 Përfundon specializimin pasuniversitar për “Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci”, pranë Akademisë Diplomatike Shqiptare
2010 Përfundon studimet dhe merr titullin “Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare”
2005 I është akorduar titulli “Avokat” nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë
2009 Përfundon studimet dhe certifikohet nga Ministria e Financave si “Auditues i Brendshëm në Sektorin Publik”
Bahri Shaqiri ka kryer me sukses trajnime në fushën e sigurisë kombëtare dhe të menaxhimit, për të cilat është pajisur me certifikatat përkatëse.
EKSPERIENCA NË PUNË:
Tetor 2017 – e në vazhdim Këshilltar i Presidentit të Republikës për Çështjet e Sigurisë Kombëtare
Shkurt 2016 – tetor 2017 Zëvendësministër i Transportit dhe Infrastrukturës
2014 – 2015 Këshilltar i Ministrit të Mbrojtjes
2005 – 2012 Drejtor i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH)
2005 – 2012 Anëtar i Këshilllit të Sigurisë Kombëtare dhe Anëtar i Komitetit Ndërministror të Politikave të Sigurisë Kombëtare
2002 – 2005 Drejtor i Kabinetit të Drejtorit të SHISH dhe Përgjegjës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare
1994 – 2002 Jurist dhe Këshilltar Ligjor në Sektorin Privat
1992 – 1994 Jurist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Financiare
Për më tepër informacion vizitoni linkun e mëposhtëm: http://president.al/bahri-shaqiri-keshilltar-i-presidentit-te-republikes-per-ceshtjet-e-sigurise-kombetare/