Kryeministrja britanike, Theresa May, do të prezantojë planin e saj “Brexit B” para ligjvënësve ditën e sotme dhe mediat në Mbretërinë e Bashkuar po spekulojnë se çfarë do të përmbajë.
Marrëveshja origjinale që ajo negocioi me Brukselin u kundërshtua rrënjësisht pas votimit të para pak ditëve në parlament.
Londra ka afat deri më 29 mars të arrijë një marëveshje rreth asaj se si vendi do të largohet nga Bashkimi Evropian, ku si mundësi është edhe një Brexit pa marrëveshje, që ka të ngjarë të shkaktojë kaos dhe të dëmtojë ekonominë britanike.
Zyrtarët në Bruksel pohuan se ata nuk do të lejojnë ndonjë ndryshim thelbësor në marrëveshjen që ata arritën me kabinetin e Theresa May më herët.
Kjo marrëveshje, megjithatë, u kundërshtua nga deputetët britanikë javën e kaluar në një humbje rekord.
Pas paraqitjes së Brexit B ditën e sotme, çdo sugjerim që do dalë do të debatohet dhe votohet nga ligjislativi jo më shpejt se të martën javën e ardhshme, duke mundësuar të paktën tetë ditë për shqyrtim.