Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja që tronditi Spanjën – I dënuar për vrasjen e gruas, 50-vjeçari vret edhe avokaten që e kishte të dashur


Një 50-vjeçar i dënuar për vrasjen e gruas së tij, tani besohet të ketë vrarë edhe avokaten e tij mbrojtëse, me të cilën dyshohet se kishte pasur një lidhje dashurie.

“BBC” shkruan se ngjarja ka ndodhur të premten e kaluar ku Salvador Calvo, pasi vrau avokaten u hodh nga një urë në qytetin lindor të Spanjës, në Teruel, kur policia i kishte shkuar pas për ta arrestuar.

Çështja ka tronditur Spanjën, duke nxitur debatin mbi ligjet mbi dhunën në familje.

Çfarë ka ndodhur?

Jose Javier Salvador Calvo, 50 vjeç, kishte vrarë gruan e tij, Patricia Maurel Conte, 29 vjeç, në maj të vitit 2003, në rajonin verilindor të Aragonit. Ai ishte dënuar, por kishte dalë para kohe nga burgu në vitin 2017 “për sjellje të mirë”.

Në këtë kohë thuhet se ai filloi një lidhje me avokaten e tij mbrojtëse, Rebeca Santamalia Cáncer. Por avokatja 47-vjeçare ishte e martuar ndërkohë me dikë tjetër.

Avokatja u godit për vdekje në shtëpinë e Salvador Calvo në kryeqytetin rajonal të Aragonit, Zaragoza, pas orës 04:00 të premten, pasi burri i saj raportoi se ishte zhdukur.

Policia u vu në ndjekje të 50-vjeçarit Calvo dhe e pikasi pranë një ure në Teruel. Por ai para se ta kapte policia u hodh nga ura, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Kryeministri Pedro Sánchez ka reaguar mbi ngjarjen e rëndë dhe u zotua të vazhdojë të luftojë dhunën kundër grave.

Angazhimi politik i kryeministrit spanjoll vjen si një reagim ndaj politikave të partisë së ekstremit të djathtë Vox, një parti e me ndikim në rajonin jugor të Andaluzisë, e cila kërkon të ndalojë ndihmën juridike për gratë e rrahura nga burrat, duke thënë se kjo ndihmë favorizon padrejtësisht gruan.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *