Vendosni fjalën kyçe....

Franca dhe Gjermania firmosin traktatin e ri


Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi sot për rrezikun e rritjes së nacionalizmit në Europë dhe bëri thirrje për rigjallërimin e bashkëpunimit ndërkufitar, pasi ajo dhe homologu i saj francez nënshkruan një traktat për rigjallërimin e miqësisë shumëvjeçare mes vendeve të tyre.

Marrëveshja e re u nënshkrua në qytetin e lashtë të Gjermanisë Perëndimore Aachen, pikërisht 56 vjet pas Traktatit Elysee të vitit 1963, që përcaktoi marrëdhëniet e afërta që do të kishin të dy vendet pas shekujsh me konflikte, të cilat morën në fund me Luftën e Dytë Botërore.

“Në të gjitha vendet tona është duke u fuqizuar populizmi dhe nacionalizmi”, i tha zonja Merkel zyrtarëve francezë, gjermanë dhe evropianë, që ishin mbledhur në qendrën e qytetit Aachen.
Ajo tha se bashkëpunimi ndërkombëtar po kalon nëpër një rrugë të vështirë dhe ajo përmendi si shembull largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian, si dhe rritjen e prirjeve proteksioniste në mbarë botën.
Traktati i Aachen-it synon fuqizimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes të dy vendeve, si dhe përmirësimin e koordinimit mes tyre për çështje ndërkombëtare, si ndryshimet klimatike dhe terrorizmi.
Gjermanisë dhe Francës shpesh i referohen si lokomotiva të Bashkimit Europian, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi tek vendet e tjera anëtare, të cilat ndjehen të anashkaluara nga marrëdhënia e afërt mes Parisit dhe Berlinit.

Sfondi historik i traktatit Aachen
Një ditë dimri më shumë se gjysmë shekulli më parë, Franca dhe Gjermania Perëndimore nënshkruan një traktat që synonte për të lënë pas shekujt e konflikteve që përfshinë dy luftëra botërore shkatërrimtare. Në kushtet e Luftës së Ftohtë, uniteti evropian ishte i kufizuar në një treg të përbashkët prej gjashtë anëtarësh, i cili fillimisht hodhi poshtë kërkesën e Britanisë për anëtarësim. Pak njerëz e parashikuan në atë kohë se ky traktat i janarit 1963 do të ndihmonte në çimentimin e një bashkëpunimi franko-gjerman për të realizuar atë që përfundimisht u bë Bashkimi Evropian me 28-anëtarë.
Pikërisht 56 vjet më vonë, më 22 janar 2019, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, nënshkruan një pakt të ri, i cili përballet me sfida të reja. Të dy udhëheqësit janë dobësuar në vendet e tyre dhe BE-ja po lufton me çështjen Brexit, nacionalizmin në rritje dhe ndarjet mbi çështjet thelbësore si migracioni, ekonomia dhe mbrojtja.
Disa analistë thonë se traktatit të ri të Aachenit i mungon substanca, ndërsa nacionalistët francezë të ekstremit të djathtë kanë hedhur paralajmërime të rreme duke pretenduar se Parisi planifikon të lëshojë pjesë të territorit të vendit dhe të ndajë me Berlinin pozitën si vend anëtar i përherëshëm i Këshillit të Sigurimit. Pakti ngre një pyetje më të gjerë: Sa rëndësi ka bashkëpunimi franko-gjerman në Europën e sotme të rrethuar nga vështirësitë?
“Dikur thuhej se kur Franca dhe Gjermania binin dakord për diçka, kjo pak a shumë kthehej në një vendim për BE-në. Tani, kjo nuk mjafton”, thotë Manuel Lafont Rapnouil, kreu i zyrës së Parisit i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.
Marrëveshja e re synon të thellojë bashkëpunimin franko-gjerman në fushën e arsimit, mjedisit, sigurisë dhe politikës ekonomike, ndër të tjerat.
Qyteti gjerman Aachen, i njohur në frëngjisht si Aix-la-Chapelle, është shumë simbolik – dikur ka qenë kryeqytet i perandorit frank Karli i Madh. Një vit para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u bë qyteti i parë gjerman i kapur nga aleatët pas një beteje shkatërrimtare.
Por kritikët thonë se traktati i ri mbetet shumë larg ambicieve për një Evropë më të fuqishme dhe të unifikuar, që presidenti Macron theksoi në një fjalim të vitit 2017, pak muaj pas marrjes së detyrës. “Një pakt i ri, por pak ambicie,” shkruante gazeta franceze Le Monde, në prag të nënshkrimit.
“Është një bazë mbi të cilën mund të punojmë, por që reflekton kufizimet e dy qeverive”, thotë Joachim Bitterlich, ish këshilltar i ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, për gazetën Le Journal du Dimanche të Francës, në të cilën ai përmend mangësitë në fusha si migrimi dhe bashkëpunimi energjitik.
Gazetari rus Leonid Bershidski përshkruan disa çështje që ai beson se pengojnë marrëveshjen, siç janë interesat e ndryshme gjermano-franceze në fusha si mbrojtja dhe bashkëpunimi ekonomik.
“Shprehjet simbolike të solidaritetit janë të rëndësishme në këto kohë përçarjesh. Por në jetën reale, për të punuar së bashku është e vështirë, madje edhe për partnerët me qëllimet më të mira”, shkruante ai në një artikull për gazetën Bloomberg.
Presidenti Macron dhe kancelarja Merkel takohen në një pikë të ulët popullariteti në mandatin e tyre si udhëheqës. Kancelarja gjermane po shqyrton largimin nga posti, pasi tashmë ia ka dhënë kontrollin e partisë së saj të Bashkimit Kristian Demokratik një aleateje, Annegret Kramp-Karrenbauer. Presidenti Macron ka parë rënien e popullaritetit të tij në nivel rekord mes protestave të vazhdueshme kundër reformave të tij dhe rritjes së kostos së jetesës.
Ndërsa Bashkimi Evropian ka shfaqur unitet në negociatat me Britaninë rreth çështjes Brexit, blloku është i ndarë në shumë aspekte të tjera – edhe pse partitë nacionaliste pritet të rrisin fuqinë e tyre në rritje në zgjedhjet e Parlamentit Evropian këtë maj.
“Britania po largohet. Italia drejtohet nga populistët. Spanja ka një qeveri të pakicës. Polonia dhe Hungaria udhëhiqen nga parti konservatore, dhe asnjë qeveri nuk dëshiron t’u japë institucioneve në Bruksel më shumë pushtet”, shkruante revista The Economist, duke përshkruar disa nga pengesat.
Në Francë, protestuesit e jelekëve të verdhë kanë përhapur fjalë që vijnë nga e djathta ekstreme se presidenti Macron synon t’ia japë Gjermanisë rajonin francez Alsace-Lorraine, ndërsa kreu i ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, ka sugjeruar se Pakti Aachen parashikon që Franca të ndajë me Gjermninë vendin e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjë që presidenca franceze e hedh poshtë si “lajm padyshim të rremë”. Traktati parashikon, në të vërtetë, që të dy vendet të kërkojnë në mënyrë prioritare një vend të përhershëm për Gjermaninë në Këshillin e Sigurimit.
Megjithatë, pak analistë të BE-së shohin ndonjë alternativë ndaj Francës dhe Gjermanisë si nyjen përfundimtare që lidh bllokun.
“Pas Brexit, pas krizës së migracionit, pas çdo gjëje që kemi pasur, le të bëjmë thjesht deklaratën politike se 27 shtetet anëtare të BE do të dëshironin të vazhdojnë dhe të përmirësojnë bashkëpunimin e Bashkimit Evropian”, tha Frantisek Ruzicka, sekretar shtetëror i Sllovakisë për Çështjet Evropiane, gjatë një vizite të fundit në Paris. Pa bashkëpunim të fortë franko-gjerman, shtoi ai, “bashkëpunimi evropian nuk do të ekzistojë”.
Traktati Aachen “është aty për t’u kujtuar dy vendeve dhe pjesës tjetër të Evropës që edhe kur nuk shikohen sy më sy, edhe kur është e vështirë, kjo marrëdhënie është e rëndësishme”, thotë Lafont Rapnouil i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. “Të dy vendet besojnë se kjo është e rëndësishme, dhe është pika ku fillon gjithçka”, thotë ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *