Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria prodhon pak mbetje dhe s’riciklon, por është e treta në Europë për përdorimin e inceneratorëve


Shqipëria gjeneroi 436 kg mbetje për frymë për vitin 2017, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, duke u renditur mes vendeve që kanë një nivel të ulët të mbetjeve për frymë (në vend të 24 nga 38 shtete të raportuara).

Rekordin e mbajnë vende me industri të zhvilluar si Norvegjia (748 kg/frymë),  Danimarka (781 kg), Norvegjia (748 kg), Zvicra (706), Gjermania (633 kg) etj. Nivelin më të ulët në Europë e kanë Serbia (306 kg), Rumania (272 kg), Kosova (228 kg).

Në të kundërt, Eurostat e rendit Shqipërinë të tretën në listën e atyre pak vendeve europiane që përdorin metodën e incenerimit për përpunimin e plehërave.

Në vend të parë është Gjermania, që ka përpunuara 27 kg/frymë, e ndjekur nga Sllovenia me 18 kg dhe e treta është Shqipëria me 7 kg për frymë. Në total janë vetëm 9 shtete që e kanë përdorur metodën e incenerimit për përpunimin e plehërave në 2017-n, sipas raportimit të Eurostat.

Ky proces mbulon djegien e mbeturinave ku qëllimi kryesor i djegies është trajtimi termik i mbeturinave në mënyrë që të zvogëlohet vëllimi dhe rrezikshmëria e mbeturinave dhe të merret një produkt inerte. Përfitimi i energjisë përmes incenerimit apo landfillet janë opsionet më pak të preferueshme për mbetjet.

Organizata Botërore e Shëndetit vlerëson se gjatë djegies çlirohet dioksina që kanë një sërë efektesh toksikë në trupin e njeriut dhe klasifikohen si kancerogjene. Ato mund të japin efekt edhe tek pjesa hormonale dhe imune në trup.

Nivei i përpunimit të plehërave përmes metodës së incenerimit në Shqipëri pritet të rritet më tej, pasi aktualisht në funksion është vetëm inceneratori i Elbasanit dhe në projekt janë dhe dy të tjerë në Fier dhe Tiranë, të cilat pritet ta çojnë kapacitetin përpunues në 130 kg për frymë në vit (shënim i Monitor, shiko nënndarjen: “Pak mbetje, shumë kapacitet për inceneratorë”)

Ndërsa po nxiton me inceneratorët, Shqipëria ka bërë shumë pak për riciklimin, duke u renditur ndër të fundit në Europë. Ajo riciklon vetëm 76 kg.frymë në vit, që është sa gjysma e mesatares europiane prej 144 kg.frymë sipas INSTAT dhe në rënie në krahasim me disa vite më parë, kur psh në 2014-n riciklimi arrinte deri në 96 kg/frymë.

Shqipëria renditet ndërkohë edhe ndër 10 vendet e para në Europë lidhur me mbetjet e depozituara në landfille me 351 kg/frymë, sipas të dhënave të fundit të Eurostat, nga 481 kg që është niveli më i lartë nga Malta.

Pak mbetje, shumë kapacitet për inceneratorë

Koncesioni i trajtimit të mbetjeve Elbasan (Albtek Energy), me kosto totale prej 5.3 miliardë lekësh është tashmë funksional. Kapaciteti përpunues do të jetë rreth 120-140 ton/ditë, sipas deklarime zyrtare në kontratë.

Inceneratori i Trajtimi i mbetjeve Fier (“Integrated Technology Waste treatment Fier”) ka një kosto totale prej 3.97 miliardë lekë. Kapaciteti përpunues do të jetë rreth 180-200 ton/ditë.

Ky projekt ka nisur së fundmi ndërtimit, pasi u vonua për për shkak të protestave të vazhdueshme të banorëve të fshatit Verri, të cilët nuk pranonin ndërtimin afër zonës së tyre, teksa i tremben ndotjes së ajrit dhe produkteve bujqësore.

Projekti i tretë është Trajtimi i mbetjeve Tirane (“Integrated Energy B.V shpk”), me kosto totale 31.17 miliardë lekë dhe kapacitet përpunues do të jetë rreth 550-800 ton/ditë. Projekti nuk ka filluar ende nga ndërtimi.

Nëse të tre inceneratorët do të viheshin në punë, kosto totale në buxhet do të arrinte në rreth 40 miliardë lekë dhe kapaciteti total mesatar i përpunimit në rreth 1000 ton në ditë, ose rreth 130 kg për frymë në vit.

Nëse krahasohet me të dhënat e Eurostat për shtetet e BE-së, rezulton se vetëm vendet e zhvilluara kanë një kapacitet më të lartë. Gjermania e ka kapacitetin për frymë të përpunimit të mbetjeve përmes inceneratorëve 474 kg/frymë në vit; Franca 205 kg/frymë në vit dhe Austria me 380 kg/frymë/vit.

Të tre këto shtete kanë një nivel gjenerimi të paktën dyfish të plehrave për frymë, në krahasim me Shqipërinë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *