Ashtu siç kishin paralajmëruar, studentët janë mbledhur para Kryeministrisë. Pasi u mblodhën në fakultetet respektive, studentët shkuan para Ministrisë së Arsimit dhe më pas para zyrës së Ramës.
Në këtë protestë marrin pjesë studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe të Mjekësisë. Ata kanë gjuajtur në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë me vezë dhe bojë.
Ata kanë deklaruar se forma e protestës së zgjedhur prej tyre nuk është dhunë por shprehje e pakënaqësisë së tyre ndërsa kanë shtuar se nuk kanë marrë atë që kanë kërkuar duke i bërë thirrje Ramës që të plotësojë kërkesat e tyre.
Protesta e studentëve vijon që prej 4 dhjetorit dhe pas rifillimit të saj në janar, studentët vendosën të bojkotojnë mësimin dhe të ngujohen në disa prej fakulteteve të Tiranës.
Ata kanë denoncuar dhunën e policisë ndaj tyre si dhe takimet e kryeministrit Rama me studentët në universitete të ndryshme, duke thënë se ata që janë futur në takime janë anëtarë të FRESSH-it dhe nuk përfaqësojnë studentët.
Duhet thënë se në disa fakultete të veçanta ka klasa që kanë zhvilluar mësim. Kryeministri Rama në fund të vitit që shkoi nisi turin e takimeve nëpër universitetet e vendit për të prezantuar atë që ai e ka emërtuar si Pakti për Universitetin.
Në këto takime ka marrë pjesë edhe ministrja e re e Arsimit, Besa Shahini si dhe ministrat e rinj të kabinetit qeveritar.