Njëlloj sikurse SHBA-ja, edhe Shqipëria ka njohur liderin e opozitës Juan Guaidó si Presidenti të Përkohshëm të Venezuelës.
Në një postim në twitter, kryeministri Edi Rama shkruan: “Në emër të popullit të Shqipërisë dëshiroj që Juan Guaidó dhe venezuelanët e guximshëm të kenë sukses në triumfin ndaj paligjshmërisë që e ka kthyer vendin në ferr për popullin e vet”.
Më herët ishte presidenti i SHBA-ve Donald Trump që njohur si president të përkohshëm të Venezuelës, liderin e opozitës Juan Guaido. Guaido, i cili bëri thirrje për demonstrata, u vetëshpall dje si udhëheqësi i ngarkuar në Karakas.
Por kujtojmë se dikur kryeministri Rama jo vetëm që nuk e mbështeste Trump, por e ka konsideruar atë si kërcënim serioz për Amerikën.
Gjatë fushatës për zgjedhjet për presidentin e SHBA-së, në një intervistë për gazetarin e “CNN”-it, Richard Quest, Edi Rama tha se “zgjedhja e Trump do të jetë një kërcënim për Shtetet e Bashkuara” dhe se “deklaratat që dëgjohen kohët e fundit nga Trump janë frikësuese”.
Por gazetari i ka ndërhyrë Ramës, për t’i kujtuar se kishte ndërhyrë duke folur për zgjedhjet e një vendi tjetër.
“Unë nuk komentova zgjedhjet, nuk jam i vetmi që po sheh këtë shqetësim, edhe liderë të tjerë europian kanë të njëjtin shqetësim sepse Shtetet e Bashkuara janë të rëndësishme përtej kufijve të saj. Në sytë tanë, Amerika është lideri botëror që ne ndjekim dhe na frymëzon. Dhe ky frymëzim është ndërtuar në vlera dhe principe që bënë Amerikën këtë që është.”, iu kundërpërgjigj Rama gazetarit amerikan.
Deklarata të tilla më vonë u përsëritën, derisa Trump u bë president dhe tanimë jo vetëm që nuk flet kundra tij, por së fundmi ka nisur edhe të bëjë të njëjtat gjëra si ai. Si në rastin e Venezuelës, ku Trump ishte ndër të parët që shprehu mbështetjen për liderin e opozitës.
Dhjetëra mijëra venezuelanë dolën të protestojnë në rrugë për të kundërshtuar presidentin Nicolás Maduro dhe pushtetin e tij. Lideri i opozitës dhe njëkohësisht kreu i Parlamentit Juan Guaido, është vetëshpallur president i përkohshëm deri në zgjedhjet e reja.
Maduro u betua për një mandat të dytë pak kohë më parë, pas akuzave për manipulimin e votave dhe tanimë pasi Guaido është vetëshpallur president, ai e ka konsideruar këtë si një grusht shteti./Hashtag.al