Ndryshimi i kufijve të Kosovës është i papranueshëm për Berlinin. Ky është mesazhi që kancelarja Merkel ia ka përsëritur presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, në takimin e tyre të mbajtur të mërkurën, në Davos të Zvicrës, shkruan Koha.net.
Sipas medias së lartpërmendur, takimi në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit është shfrytëzuar nga kancelarja gjermane mes të tjerash për t’ia qartësuar presidentit serb se pozicioni gjerman rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe marrëveshjes së paralajmëruar përfundimtare nuk ka ndryshuar.
Një burim i mirinformuar i ka thënë gazetës se në takim Merkeli ia ka kujtuar Vuçiçit pozicionin e Berlinit, se ndryshimi i kufijve të Kosovës është i papranueshëm.
Korrigjimi i kufijve apo këmbimi i territoreve është i papranueshëm për qeverinë gjermane, ka thënë burimi.
Korrigjimi i kufijve është një temë që e ka trazuar jo pak politikën rajonale por edhe atë botërore.
Për arritjen e një marrëveshjeje që përfshin edhe korrigjimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës është investuar presidenti i Kosovës, Thaçi dhe ai serb Vuçiç, ndërsa kundërshtohet fort nga kryeministri Haradinaj.