Vendosni fjalën kyçe....

Ngec Eurozona, sa do të ndikojë kjo tek ekonomia shqiptare


Ekonomia e Eurozonës e nisi 2019 me ritmet më të ulëta në më shumë se pesë vjet, sipas një sondazhi të rëndësishëm të menaxherëve, shkruan “Financial Times”. Kjo do të shtojë shqetësimet se rajoni është në ngadalësim.

Indeksi i Blerjeve të Menaxherëve (PMI) për zonën e monedhës së vetme – që shihet nga politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane si një tregues i hershëm të asaj që do të ndodhë me Prodhimin e Brendshëm Bruto – ra në 50.7, nga 51.1 në dhjetor, sipas të dhënave nga firma IHS Markit.
Leximi ishte në nivelin më të ulët për 66 muaj – edhe pse ajo mbetet mbi 50, gjë që tregon se aktiviteti është në zgjerim dhe rajoni nuk është në recesion.

Megjithatë, kjo tregon që rajoni nuk është rikuperuar nga një tremujor i tretë i ngadaltë, kur rritja rezultoi në nivelin më të ulët të katër viteve, duke zbritur në 0.2%. Ekonomistët kishin shpresuar se dobësitë e konstatuara në tremujorin e tretë do të ishin të përkohshme, por të dhënat e publikuara sugjerojnë problemet e rajonit janë më të qëndrueshme.

“Të dy sektorët e prodhimit dhe shërbimeve janë pranë stanjacionit, duke theksuar natyrën e gjerë të ngadalësimit aktual. Sektori i automobilave, shqetësimet e Brexit, luftërat tregtare dhe protestat në Francë u përmendën sërish si faktorë të ngadalësimit të rritjes, por përgjigjet e anketës tregojnë se këto shqetësime janë shtuar”, tha Chris Williamson, shef i ekonomistëve në IHS Markit.
“Kompanitë janë të shqetësuara për një ngadalësim më të gjerë ekonomik, teksa rritja e pasigurisë politike dhe ekonomike po ndikon gjithnjë e më shumë në oreksin dhe kërkesën e rrezikut”, shtoi ai.
Efekti në Shqipëri

Ekonomia shqiptare është dukshëm e varur nga ecuria e vendeve të BE-së dhe sidomos Eurozonës. Drejt Italisë, Greqisë, Spanjës, Gjermanisë shkojnë në total 65% e totalit të eksporteve, ku vetëm Italia pret gati gjysmën e totalit të eksporteve, sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2018.
“Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj rreziqeve të shtuara që rritja në Europë do të bjerë, përfshirë partnerët e saj tregtarë, si p.sh., Italia”, pohoi z. Jan Kees Martijn, shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë në një intervistë për “Monitor”.

Më herët, Komisioni Europian ka ulur parashikimin për rritjen e Bashkimit Europian në 1.9% në 2019-n dhe 1.7% në 2020-n. Italia, partneri kryesor i Shqipërisë për tregtinë, pritet të ketë një vit të dobët, me një rritje prej vetëm 0.9%. OECD parashikon se rritja e pasigurisë dhe normat më të larta të interesit do të ulin prirjen e ekonomive familjare dhe të firmave italiane për të konsumuar dhe për të investuar./Monitor 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *