Të paktën katër persona kanë humbur jetën në Venezuelë, pas përleshjeve gjatë natës, gjatë protestave rivale nga mbështetësit dhe kundërshtarët e presidentit Nicolas Maduro, tha policia.
Vendi amerikano-jugor është përfshirë nga protesta masive në atë që duket se mund të çojë në një Grusht Shteti dhe Luftë Civile.
Tensionet janë rritur në vend që prej së hënës, kur një grup ushtarësh morën një post ushtarake në veri të Karakasit dhe u ngritën kundër Maduros, duke publikuar një video që u bënte thirrje njerëzve të dilnin në rrugë në mbështetje të tyre.
Edhe pse lëvizja u shtyp menjëherë nga policia, protestat shpërthyen në pjesën më të madhe të qyteteve në vend.
Parlamenti që kontrollohet nga opozita ka paralajmëruar protesta masive në mbarë vendin për të kundërshtuar qeverisjen e presidentit Nicolas Maduro.
Presidenti Maduro, ndërpreu marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe urdhëroi diplomatët amerikanë të largohen jashtë vendit, duke akuzuar Uashingtonin për orkestrimin e një grushti shteti, pasi lideri i opozitës, Juan Guaido, njoftoi publikisht se ishte tani president i vendit.
Ndërkohë administrata amerikane ka deklaruar se nuk do i tërheqë diplomatët e saj nga Venezuela, pavrësisht paralajmërimit të presidentit Maduro.
Në një transmetim televiziv nga pallati presidencial të mërkurën vonë, Maduro akuzoi opozitën se po organizonte një grusht shteti me mbështetjen e SHBA-së., të cilën ai tha se po kërkon të qeverisë Venezuelën nga Uashingtoni.
“Kemi pasur ndërhyrje të mjaftueshme, ne kemi dinjitetin tonë. Këtu është një popull që dëshiron ta mbrojë këtë vend.” – tha Maduro.
Më herët, të mërkurën, kreu i opozitës venezueliane, Juan Guaido u shpall president i përkohshëm në një fjalim para dhjetëra mijëra njerëzve në rrugët e Caracas-it.
Në tubimin masiv, Guaido akuzoi Maduro për uzurpimin e pushtetit dhe premtoi të krijonte një qeveri kalimtare, që do të ndihmonte vendin të shpëtonte nga kolapsi ekonomiko-financiar.
“Betohem se marr të gjitha kompetencat e presidencës për të siguruar fundin e uzurpimit.” – tha Guaido, 35 vjeç, kreu i kongresit të drejtuar nga opozita.
Ministri venezuelian i Mbrojtjes, Vladimir Padrino, tha se forcat e armatosura nuk e njohin një president të vetëshpallur “të imponuar nga interesa të fshehta e të errëta,jashtë ligjit”.
Pak minuta pas deklaratës së Guaido-s, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e njohu atë si udhëheqës të përkohshëm dhe deklaroi se Asambleja e tij Kombëtare ishte “e vetmja degë e ligjshme e qeverisë e zgjedhur siç duhet nga populli venezuelian”.
“Populli i Venezuelës ka folur me guxim kundër Maduro-s dhe regjimit të tij dhe ka kërkuar lirinë dhe sundimin e ligjit.” tha Trump në një deklaratë.
Vendet e rajonit, Brazili, Kolumbia, Kili, Peru dhe Argjentina të gjithë dhanë mbështetjen e tyre për vetë-shpalljen e Guaidos si president kurse Meksika tha se marrëdhëniet me Venezuelën mbeten të pandryshuara, dhe Kuba e Bolivia gjithashtu shprehën mbështetjen ndaj Maduro-s. /Hashtag.al
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Aljazeera.com