Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka përshëndetur kalimin e Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin grek. Në një postim në Twitter Kryemadhi shkruan se ratifikimi i kësaj marrëveshje është një zhvillim pozitiv për rajonin.
“Ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti grek, një zhvillim tejet pozitiv dhe mjaft i rëndësishëm për rajonin tonë, pëër më shumë integrim, për forcimin e paqes dhe për më shumë stabilitet. Ky zhvillim hap perspektivën e proceseve të integrimit të mëtejshëm mes vendeve të rajonit dhe të të gjithë rajonit në Bashkimin Europian”, shkruan Kryemadhi.
Sipas marrëveshjes, Republika e Maqedonisë e ndryshon emrin në “Republika e Maqedonisë Veriore”, ndërsa Greqia zotohet të heqë veton për pranimin e vendit në NATO.