Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-të kërkojnë heqjen e taksës: Minojnë bisedimet me Kosovën


Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan pezullimin e menjëhershëm të tarifës në importet nga Serbia dhe Bosnja si një masë e nevojshme për të rimëkëmbur procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Në një komunikatë të ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se veprimet që minojnë këto bisedime shkojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke tërhequr vërejtjen për pasoja të mundshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke kujtuar edhe letrën që presidenti amerikan Donald Trump, i dërgoi presidentit Hashim Thaçi.

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha në Prishtinë se për shkak të kësaj letre Kosova ka hequr dorë nga masat e mëtejshme ndaj Serbisë. Ai tha se tarifa për mallrat serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi derisa Serbia të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës.

“Nëse Vuçiqi e Daçiqi e të tjerët thonë (nikada) në gjuhën e vet, kurrë nuk iu njohim, e çka po presin prej neve, ne me iu thënë po e heqim a , jo, ata ‘nikada’ edhe ne nuk e heqim kurrë”, tha Haradinaj.

Tarifa ndaj mallrave serbe, e vendosur me 21 nëntor të vitit të shkuar është kundërshtuar edhe nga bashkimi evropian që i dërgoi edhe një propozim Prishtinës nëpërmjet komisionarit Johanes Hahn, për një marrëveshje që përfshin të gjitha aspektet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, kryeministri Haradinaj tha se një marrëveshje e tillë do të ketë kuptim vetëm bashkë me marrëveshjen për njohjen e Kosovës. Beogradi ndërkaq kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave duke bërë që procesi i bisedimeve të vazhdojë të mbetet i bllokuar.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *