Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili reagoi me anë të një deklarate për shtyp në lidhje me publikimin nga autoritetet policore gjermane të një libri me titull: “Partner kriminel në aleancën strategjike”, që përmban fakte tronditëse dhe alarmante për pastrimin e parave të pista në Shqipëri.
Vasili tha se pastrimi kriminal i parave bëhet vetëm për pasurimin e kryeministrit Rama dhe klikës së tij, ndërkohë që shumica e shqiptarëve zhyten në varfëri dhe mjerim.
Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së tha gjithashtu se një Bankë Shqiptare, konkretisht ABI BANK është një produkt offshore dhe e licencuar në dhunim flagrante të ligjit, ndërkohë që theksoi se as kryeministri, as prokuroria dhe as Guvernatori i Bankës së Shqipërisë janë në heshtje dhe nuk reagojnë në lidhje me këtë gjë.
Deklarata e plotë
Të nderuar qytetarë jam sot këtu para jush për të ndarë së bashku një nga zhvillimet më tragjike dhe më dramatike të qeverisjes së vendit, pikërisht atë të kriminalizmit të saj dhe të pastrimit masiv dhe shumë të rrezikshëm të parave.
Jo më larg se pak ditë më parë, autoritetet policore gjermane kanë botuar një libër tepër të rëndësishëm për Shqipërinë me titull “Partner kriminel në aleancën strategjikë”, pra partner kriminel në aleancën strategjike, ku pohojnë qartazi se në Shqipëri në mënyrë të drejtpërdrejtë thonë që mund të transferohen shuma të mëdha parash, përfitime nga transaksionet ilegale mund nxirren lehtësisht jashtë vendit dhe të futen në treg, dhe njëkohësisht licensat dhe gjithçka janë lehtësisht të nxjerrshme, pasi organet, politika dhe drejtuesit e administratës shtetërore të Rilindjes e mundësojnë dhe e kanë bërë një han pa porta Shqipërinë.
Shqipëria e kriminalizuar dhe kjo para, e cila rrënon vendin pasi mijëra biznese të ndershme falimentojnë dhe shkatërrohen, ndërkohë që zhvillimi i vendit është peng i duarve të një njeriu, kryeministrit të vendit, do të thotë që ky pastrim parash ka vetëm një funksion.
Pasuron një kryeministër grabitqar, i cili nëpërmjet këtyre operacioneve bëhet një miliarder i vërtet, ndërkohë që mjerimi dhe varfëria i mijëra e mijëra shqiptarëve, bizneseve të vogla, bizneseve të mesme, por edhe i mijëra të tjerëve të cilët janë të lidhur me punësimin rrënohen dhe mjerohen.
Është në një moment ulëritës përsa i takon këtij kriminalizimi. Këshilli i Europës nëpërmjet Manivalit riktheu Shqipërinë nën monitorim, pra nën një situatë të zezë mbas 8 vitesh që nga 2011, ku nuk prodhoheshin me raporte.
Dhe e nxjerr sigurisht në pah, në mënyrë shumë dramatike këtë gjë. Departamenti Amerikan i Shtetit, ka tundur kambanat e alarmit, pasi paratë pastrohen haptazi dhe përshkruan dhe se ku ndodh ky pastrim parash. Njëherazi evidentohen, po nga raportet edhe të Policisë Gjermane, por dhe të Këshillit të Europës dhe të DASH, edhe çarjet në sistemin financiar shqiptar.
Ne kemi mundur në sytë e prokurorisë shqiptare, në sytë e Bankës së Shqipërisë dhe të Guverantorit të saj, në sytë e këtij kryeministri, tërësisht të kapur dhe të kriminalizuar, që një bankë shqiptare është produkt offshore, pikërisht ABI BANK dhe e licencuar në dhunim flagrant të të gjitha rregullave të Bankës, në mungesë të plotë të transparencës.
Sipas atyre rregullave që kjo bankë kërkon, dhe kurrkush nuk lëviz gishtin përveçse mbizotëron një heshtje e plotë, ku të tërë palët në qeverisje dhe të gjitha instrumentet ligjzbatuese janë të gjitha në një heshtje, në një sinkron të plotë, pasi këto mekanizma të pakontrolluara, të paverifikuar dhe në këtë klimë të pastrimit të parave do të thotë që u hapet rrugë e gjerë, duke menduar vetëm e vetëm për pasurimin e paligjshëm, ilegal, kriminal të kryeministrit.
Atij në mënyrë individuale dhe të një klike të vogël që e rrethon dhe rrënimin e shqiptarëve nga ana tjetër. Shqiptarët duhet të kuptojnë që kjo është një çështje tragjike, pasi të mos çuditen aspak kur të konstatohet një kolaps i menjëhershëm dhe i rrufeshëm i ekonomisë, i pandalshëm dhe me pasoja shkatërrimtare.
Ndalja e kësaj veprimtarie kriminale me dimensione të frikshme ka vetëm një mundësi, të gjithë së bashku, të gjithë në protestë, për të mbrojtur fatin e fëmijëve tanë, të bizneseve, të punës së ndershme, dhe të të ardhmes së vendit. Në të kundërt kemi një shkatërrim, të cilin miqtë, partnerët ndërkombëtar, delegacioni i BE në Tiranë dhe saktësisht Ambasadori Soreca, ka ngritur çështjen e pastrimit të parave, çdo shqiptar që do mbyllte sytë do të gatuante po me duart e tij, një të ardhme të zezë dhe pa rrugëdalje.